Vendimi i qeverisë,kriteret e reja për ndarjen e 6 milionë USD të pronave për 2009
BLEDAR HOTI
Qeveria përcakton kriteret e reja për subjektet e shpronësuara për efekt të kompensimit financiar për vitin 2009.
Fondi i dhënë nga Qeveria për këtë vit ka parashikuar në buxhetin e shtetit një fond prej 600 milionë lekësh për të realizuar kompensimin financiar për ish-pronarët. Qeveria ka parashikuar që procedura për depozitimin e kërkesave nga ana e ish-pronarëve në zyrën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të zgjasë 30 ditë. Afati i depozitimit të kërkesave nis pikërisht pas 5 ditëve të botimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare. Pas mbylljes së këtij procesi AKKP-ja (zyrat rajonale) së bashku me institucionet e tjera, hipotekat dhe SAMT-të i duhet 10 ditë për të verifikuar dokumentet e paraqitura nga ana e ish-pronarëve që kërkojnë kompensimin financiar. Pas përfundimit të kësaj procedure, i bie që AKKP-ja të hartojë skemën e shpërndarjes së fondit, duke shtuar më tepër afatin e shpalljes së fituesve. Mbi bazën e kësaj përllogaritjeje i bie që fondi duhet të shpërndahet pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Skema e përfitimit dhe dokumentet
Vendimi i qeverisë ka përcaktuar se do të përfitojnë të gjithë ata ish-pronarë, prona e të cilëve u është njohur sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit. “Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt të klasifikimit do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone”, thuhet në pikën 1 të vendimit. Ndërsa një ndër kriteret përjashtuese për ish-pronarët është fakti se ata nuk duhet të kenë përfituar më parë ndër vite nga ndarja e tokës bujqësore, sipas ligjit 7501 “Për tokën”. “Fitojnë subjektet e shpronësuara, përfitojnë vetëm nëse nuk kanë përfituar: 1) nga kompensimet e mëparshme; 2) kthimi fizik i pjesshëm të pronës, me çdo vendim për atë subjekt; 3) nga e drejta e parablerjes dhe ç) nga zbatimi i ligjit nr.7501 “Për tokën””, thuhet në këtë vendim. Kompensimi maksimal bëhet edhe për këtë vit jo më shumë se 200 metra katrorë. Ish-pronarët që kanë aplikuar në vitet e mëparshme në 2006, 2007 dhe 2008 nuk paguajnë tarifën, por duhet të paraqesin edhe një herë dokumentacionin e kërkuar nga ana e Qeverisë të parashikuar në këtë vendim, të njëjtë për ato që aplikojnë për herë të parë. “Dokumentacioni i kërkuar është: a) kërkesën për kompensim në të holla, sipas formularit 1; b) Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensimin, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, sipas formularit të miratuar; c) Vendimin e KKKP-së ose të AKKP-së për njohjen dhe kompensimin e pronës, së bashku me planvendosjen përkatëse, të njehsuara nga institucioni, ku ato janë të arkivuara; ç) dëshminë e trashëgimisë; d) prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta e tërheqjes së të hollave në rast se del fitues; dh) fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikuar, të përfaqësuesit, të pajisur me prokurë; e) dokumentin që vërteton vendbanimin, më 19.7.1991, të subjektit të shpronësuar dhe f) mandatpagesën”, thuhet në vendim. Në pikën 10 të vendimit është thuhet se “paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, në zbatim të këtij vendimi, sjell përjashtim e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit në të holla dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale”.
Vendimi
Subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është e njohur e gjitha për kompensim, të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse nuk kanë përfituar:
a) nga kompensimet e mëparshme
b) kthimi fizik i pjesshëm të pronës, me çdo vendim për atë subjekt;
c) nga e drejta e parablerjes
ç) nga zbatimi i ligjit nr.7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”
Dokumentet që duhet të paraqiten nga pronarët:
a) Kërkesa për kompensim në të holla, sipas formularit 1
b) Deklarata për pranimin e kritereve për kompensimin, sipas vendimin të Këshillit të Ministrave, sipas formularit të miratuar
c) Vendimin e KKKP-së ose të AKKP-së për njohjen dhe kompensimin e pronës së bashku me planvendosjen përkatëse, të njehsuara nga institucioni, ku ato janë të arkivuara
ç) Dëshminë e trashëgimisë
d) Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta e tërheqjes së të hollave në rast se del fitues
dh) fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit, të përfaqësuesit, të pajisur me prokurë
e) Dokumentin që vërteton vendbanimin, më 19.7.1991, të subjektit të shpronësuar
f) Mandatpagesën.