Shkojnë të vjedhin në dyqan, i plagos pronari
TIRANE- Tentativa për të grabitur dyqanin u rrezikon jetën hajdutëve. Pronari i dyqanit, i cili ka pikasur në kohë autorët qëlloi me armë duke plagosur njërin prej grabitësve. Ngjarja ndodhi dje në mbrëmje në Babrru të Tiranës. Shaban Xhebexhija, 23 vjeç dhe Naim Beqiri, 16 vjeç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë tentuar të vjedhin dyqanin në pronësi të 67-vjeçarit Sherif Ymeri. Burime nga policia thanë se Ymeri pasi i ka vënë re autorët dhe me qëllim për t'i frikësuar, ka qëlluar një herë në ajër dhe më pas në drejtim të tyre me çifte, të cilën e mbante me leje. Nga të shtënat mbeti i plagosur rëndë njëri nga autorët e dyshuar, Shaban Xhebexhija, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, pas sqarimit të rrethanave arrestoi pronarin e dyqanit Sherif Ymeri për veprën penale të "plagosjes së rëndë me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme". e.d