E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha firmos shkarkimin e Memisë nga ALUIZNI

27/03/2012  Në vend të tij do të emërohet ish-deputeti Kollozi

Pas katër muajve pritjeje, Kryeministri Sali Berisha firmosi dorëheqjen e Shaban Memisë nga posti i drejtorit të përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI). Burime nga Këshilli i Ministrave konfirmuan se Memia është shkarkuar nga detyra me firmën e Kryeministrit Sali Berisha dhe në vend të tij pritet të emërohet ish-deputeti i Partisë Demokratike Ardian Kollozi. Vendimi do të shpallet në mbledhjen e nesërme të qeverisë përmes një VKM-je. Shkarkimi i Shaban Memisë erdhi pasi në muajin tetor të 2011-s paraqiti dorëheqje të parevokueshme pranë kryeministrit të vendit. Dorëheqja e tij u mbajt nën shqyrtim nga Kryeministri për plot katër muaj pa asnjë përgjigje zyrtare. Memia e ka lënë detyrën e tij, që e mbante prej më se katër vjetësh. Ende nuk dihen shkaqet e largimit të Memisë nga kjo detyrë, të cilën e mbante që nga themelimi i Agjencisë, por mësohet se një arsye mund të jetë përplasja për largimin nga detyra të Ferdinand Shehut, kreut të ALUIZNI-t për Tiranën. Në fillim të muajit tetor të vitit të shkuar Memia urdhëroi shkarkimin e Ferdinand Shehut, drejtorit të ALUIZNI-t për Tiranën. Zyrtarisht Memia tha se shkarkimi nga detyra u bë për mungesë të integritetit personal. Sipas tij, Shehu ka mashtruar organet emëruese duke mos deklaruar 4 vjet punë që ka bërë në hetuesinë e Vlorës në periudhën komuniste. Por dy ditë pas shkarkimit që ndërmori Memia, Kryeministri e zhvlerësoi duke kthyer në detyrë Shehun. Menjëherë më pas Kryeministria dërgoi një grup kontrolli në drejtorinë qendrore të ALUIZNI, kontroll i cili ende nuk ka përfunduar. Institucioni që pritet të kryesohet për pak ditë nga Kollozi, është përgjegjës për bashkëpunimin dhe njësimin e procedurave me organet qendrore shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore, për procesin e legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të zonave/vendbanimeve/bllokbanimeve me ndërtime të legalizuara; programimin e fondeve nga buxheti i shtetit për legalizimin dhe urbanizimin e territoreve informale; krijimin dhe përpunimin e informacionit hartografik që do të përdoret për procesin e legalizimit si dhe për investime në infrastrukturë në nivel kombëtar. ALUIZNI ka drejtorinë qendrore me seli në Tiranë, 12 drejtori rajonale në nivel qarku dhe zyra në njësi të veçanta të qeverisjes vendore.

Dorëheqja

Më datën 27 tetor 2011 Shaban Memia dha dorëheqjen nga drejtimi i agjencisë për legalizimin e ndërtimeve pa leje, të njohur me emrin ALUIZNI. Ai dorëzoi dorëheqjen e parevokueshme pranë Kryeministrit Berisha. Arsyeja mund të jetë përplasja për largimin nga detyra të Shehut, kreut të ALUIZNI-t për Tiranën, me akuzën se kishte punuar për strukturat e hetimit gjatë regjimit komunist, por ishte Kryeministri që nuk lejoi largimin deri në përfundimin e një hetimi nga një grup kontrolli i Kryeministrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›