E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha firmos “shkrirjen” e Pollos me PD-në



Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka firmosur dje bashkë me kryetarin e PDR-së, Genc Pollo, marrëveshjen e bashkimit të dy partive. Nëntë vjet pas largimit me bujë nga PD-ja kryetari i Partisë Demokrate të Re, Genc Pollo, ka vendosur të rikthehet në gjirin e partisë mëmë. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes të dy politikanët, Berisha dhe Pollo, theksuan se mosmarrëveshjet e vitit 1999 janë tashmë të tejkaluara. Në marrëveshjen e nënshkruar bëhet e ditur se shkrirja e PDR-së do të ndodhë në të gjitha nivelet e drejtimit, duke filluar nga seksionet, degët dhe më pas në nivelet e larta drejtuese të partisë. Ndërkohë që burimet bëjnë të ditur se në Kryesinë e PD-së është paracaktuar tashmë një karrige për Pollon, por mendohet se ky mund të marrë një post në nivel sekretari, ndërsa anëtar kryesie pritet të bëhet dhe nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu.
Qëndrimi
“Mendoj se ky ishte lajmi që presin anëtarësia, simpatizantët, por edhe mbarë shqiptarët. Shkrirja, bashkimi i këtyre dy forcave politike ka në bazë kontributet e rëndësishme dhe vizionin e përbashkët. Këtë lajm e mirëpresin jo vetëm e djathta dhe qendra e djathtë shqiptare, por do të thosha e mirëpresin mbarë qytetarët shqiptarë. Ky lajm është thellësisht i mirëpritur nga të gjitha partitë simotra që qeverisin sot në 16 vende anëtare të BE-së, ishte pikërisht ky lajm që Kryesia e Partisë Popullore Europiane priste nga partitë tona”, - është shprehur Berisha, ndërsa e cilësoi këtë bashkim të rëndësishëm dhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Natyrisht nuk mund të injorohet se si vit elektoral që është përbën kjo një prerogativë shumë të rëndësishme gjithashtu edhe për suksesin në zgjedhjet e ardhshme për koalicionin aktual qeverisës”, - është shprehur Berisha. Edhe kreu i PDR-së, Genc Pollo, vlerësoi firmosjen e shkrirjes së partisë së tij. “Sot fillojmë zyrtarisht procesin e fuzionit midis dy partive tona. Këtë e bëjmë sepse divergjencat e vitit 1999-2001 janë një kapitull i mbyllur. Bashkëpunimi i filluar pas 2001-shit dhe sidomos fazat e tij të bashkëpunimit elektoral të aleancave parazgjedhore në 2005-n, koalicioni politik qeveritar në tre vitet e tij ka dëshmuar një qëndrueshmëri shumë të fortë, ka realizuar një pikëpamje që gjithmonë kanë qenë të përbashkëta për partitë tona, kanë kryer reforma që për në opinionin publik dhe në opinionin e komunitetit ndërkombëtar konsiderohen të suksesshme”, - është shprehur Pollo.
Marrëveshja
Në marrëveshjen e nënshkruar midis palëve bëhet e ditur se procesi i bashkimit në të gjitha nivelet do të përfundojë me përfundimin e zgjedhjeve të reja në parti, të cilat parashikohen të kryhen brenda tremujorit të parë të vitit 2009. Sipas marrëveshjes, bashkimi i partive do të shtrohet në të gjitha strukturat, që nga degët, forumet rinore, forumet e gruas e deri te forumet qendrore drejtuese. Anëtarësisë së të dy partive u njihet automatikisht vjetërsia e jetës së mëparshme në formacionet politike respektive. Kryetarët e kryesive në të gjitha degët dhe drejtuesit e organizatave mbështetëse do të udhëheqin procesin e bashkimit. Ky proces do të ndiqet në të gjitha nivelet nga një grup pune i përbashkët i drejtuar nga nënkryetarët dhe njëkohësisht kryetarët e grupeve parlamentare të dy partive, nga Astrit Patozi dhe Tritan Shehu.

Historia e largimit të “djalit plëngprishës” nga PD-ja

Genc Pollo dhe Tritan Shehu u larguan nga Partia Demokratike në vitin 1999. Këtë vit Pollo hodhi kandidaturën për postin e kryetarit të PD-së në Kuvendin e kësaj partie. Por një ditë para zgjedhjeve Pollo tërhoqi kandidaturën duke u shprehur se nuk kishte gjetur kushte për një garë të ndershme midis tij dhe Berishës. Bashkë me Pollon nga PD-ja u larguan dhe figura të tjera si Tritan Shehu, Nard Ndoka, Leonard Demi e Ferdinand Xhaferaj. Në vjeshtë të vitit 1999 Pollo krijoi një lëvizje brenda Partisë Demokratike, që u quajt lëvizja reformatore, e cila rezultoi e dështuar. Në zgjedhjet e vitit 2001 Pollo krijoi Partinë Demokrate të Re, e cila arriti të merrte 5.2% të votave dhe u përfaqësua në Kuvend me 6 deputetë. Gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet e tij me Berishën kanë qenë tejet të acaruara. Kreu i PD-së e akuzoi Pollon për përdorim të siglës së PD-së në zgjedhje. Por në zgjedhjet e vitit 2005 “gjakrat” midis PD-së dhe PDR-së u ftohën, aq sa Berisha e Pollo nënshkruan një marrëveshje paraelektorale bashkëpunimi. Pas zgjedhjeve Berisha e emëroi Pollon një postin e ministrit të Arsimit. Por gjatë tre viteve të qeverisjes, nga PDR-ja u larguan një numër i madh deputetësh, si Nard Ndoka, Jak Ndokaj, Ferdinand Xhaferaj etj. Kjo parti mbeti vetëm me dy deputetë në Kuvend dhe një pjesë e anëtarësisë së saj u bashkua me Nard Ndokën, i cili mori drejtimin e Partisë Demokristiane. Emërimi i Pollos së fundi në postin e zëvendëskryeministrit, ishte shenja e parë e bashkimit të dy partive.

30 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›