Madhi: “Kodi i ri Zgjedhor duhet të diskutohet nga partitë politike”
Anëtari i Komisionit të posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor, Arian Madhi, ka bërë të ditur se Kodi i ri Zgjedhor, i cili pritet të miratohet nga komisioni, duhet të kalojë për diskutim nga të gjitha partitë politike. Ai bën të ditur se ekspertëve i është dashur gati dy muaj kohë të hartojnë ndryshimet në Kod dhe po kaq kohë duhet t’u jepet partive për të diskutuar propozimet dhe të mos kalojë direkt për miratim në seancë, pasi do të krijojë tensione politike. “Unë jam në dijeni se komisioni po pret paketën e fundit dhe besoj se do të ishte e mjaftueshme një afat 15-ditor dhe jam i bindur se do të kemi një produkt konsensual. Për sa kohë që për hartimin e neneve për administratën zgjedhore ekspertëve u është dashur të diskutojnë gati 2 muaj, natyrisht që edhe politikës i duhet kohë për të diskutuar draftin. Në rast se do të paraqiten situata të tilla, që drafti do të futet direkt në seancë pa u dhënë kohë partive politike për ta diskutuar, sigurisht që do të ishte një moment i padëshiruar, që do të krijonte tensione politike”, - është shprehur kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane.
Kompanitë ajrore private kërkojnë zbatimin e rregullores së BE-së
Komisioni Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese ka nisur diskutimin e projektligjit për Kodin Ajror në Republikën e Shqipërisë. Gjatë ditës së djeshme janë dëgjuar propozimet e kompanive ajrore private që operojnë në Shqipëri. Përfaqësuesit e operatorëve privatë kanë kërkuar nga ligjvënësit që Kodit Ajror t’i bashkëngjiten të gjitha rregulloret e Bashkimit Europian, me qëllim që ato të zbatohen nga të gjithë. Gjithashtu, operatorët privatë kërkuan një pavarësi më të madhe për Autoritetin Civil Shtetëror, duke sugjeruar që punonjësit e kësaj strukture të kenë statusin e punonjësit civil. Pasi janë njohur me mendimin e kompanive private të fluturimeve, Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese do të diskutojë edhe me ekspertët e Ministrisë së Transporteve që kanë hartuar draftin dhe më pas projektligji do t’i nënshtrohet votimit.
30 Tetor 2008