Omer Stringa: “Berisha bekon klanet në PD”
Eljona Ballhysa
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Omer Stringa, ka komentuar në një intervistë për gazetën “Albania” situatën brenda PD-së dhe procesin zgjedhor që ka nisur kjo parti. Stringa ka bërë të ditur se në PD nuk ka klane, megjithëse ka persona që duan të organizojnë klanet por kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë. Sipas Stringës, edhe grupet që duken se funksionojnë si klane brenda partisë janë të krijuara me bekimin e kryetarit Berisha. Më tej, anëtari i kryesisë, aktualisht dekan i Fakultetit të Ekonomisë, e cilëson pozitive nismën e Mustafajt për të kandiduar për postin e kryetarit të degës së PD-së në Tiranë. Por ai shprehet se ende nuk ka parë një punë, apo nuk ka dëgjuar një ide të re, të shprehur nga Mustafaj. Më tej, Stringa shpreh besimin e tij se në këtë garë kryetari i partisë, Berisha, do të dijë të ruajë ekuilibrat dhe të nxisë konkurrencën e lirë. Stringa shprehet se beson në një mandat të dytë qeverisës të PD-së, por bën thirrje për një sulm të vërtetë reformash gjatë këtyre nëntë muajve, duke mos i toleruar vetes asnjë gabim, pasi nuk ka kohë që të korrigjohet. Më tej, Stringa komenton mënyrën e qeverisjes së PD-së dhe tregon se çfarë nuk ka shkuar ashtu siç duhej.
Z. Stringa, PD-ja është futur së fundmi në një proces zgjedhor për strukturat drejtuese. Në opinionin tuaj si anëtar kryesie si vijnë këto zgjedhje në PD dhe çfarë duhet të ndryshojë, sipas jush, në këtë parti?
Në gjykimin tim, ristrukturimi i Partisë Demokratike duhet të kishte filluar shumë kohë më përpara. Kjo për dy arsye themelore. E para, ne duhet të fillonim ristrukturimin e partisë, pasi të analizonim rezultatet e zgjedhjeve politike të vitit 2005 dhe e dyta duhet ta ristrukturonim partinë për t’iu përshtatur sa më mirë gjendjes sonë të re në pushtet, në mënyrë të tillë që partia të ishte një instrument i rëndësishëm dhe funksional në shërbim të mirëqeverisjes dhe organizimit sa më të mirë të shtetit. Unë kam thënë dhe më parë që PD-ja ka qenë shumë e qartë në rolin e saj si parti opozitare në tetë vite dhe madje e them me bindje që e kemi luajtur mjaft mirë rolin e një partie opozitare, pavarësisht nga ulje-ngritjet në kohë, ndërsa në maxhorancë unë gjykoj se roli i PD-së në qeverisje ka lënë mjaft për të dëshiruar në këto drejtime kryesore. Së pari, në punën e emërimeve; së dyti, në drejtim të marketingut të politikave qeverisëse dhe punës së qeverisë dhe, së treti: në drejtim të organizimit dhe përpunimit të vendimmarrjeve të mëdha politike që duhet të realizoheshin. Unë gjykoj që partia duhet të ishte oponenca e parë dhe serioze e qeverisjes sonë. Pavarësisht nga debatet e mëdha që janë bërë në media, ristrukturimi i partisë sonë ka ngelur në vend për shkaqe objektive dhe subjektive. Megjithëse unë them “më mirë herët se vonë”, jemi të detyruar të themi “më mirë vonë se kurrë”. Le të shpresojmë që zgjedhjet e shpallura këto ditë do t’i shërbejnë ristrukturimit sa më të mirë të PD-së duke filluar me analiza të thella serioze e dashamirëse të rezultateve të dy zgjedhjeve të kaluara dhe qeverisjes mbi tre vjet të PD-së, në të gjitha strukturat e partisë, rifreskimi i strukturave me anëtarë të rinj të partisë me vlera të reja, forcimi i lidhjeve të partisë me elektoratin, krijimi i një ambjenti sa më të mirë për konkurrimin e vlerave dhe ideve dhe rritjes së demokracisë e frymës së debatit në PD.
Një ndër figurat e njohura të PD-së, ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka shpallur prej kohësh kandidaturën për postin e kryetarit të Degës së PD-së në Tiranë. Si e shikoni ju këtë angazhim?
Si çdo anëtar i PD-së, edhe zoti Besnik ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet në çdo forum të partisë. Shpallja nga ana e tij e kandidaturës për kryetar të Degës së PD-së për Tiranën në mënyrë publike është një risi për PD-në që unë e vlerësoj, ndërsa aktiviteti i tij pas kësaj deklarate në gjykimin tim lë shumë për të dëshiruar. Ky është thjesht një konstatim i imi. Nëse zoti Besnik kërkon të ketë një rezultat pozitiv në këtë iniciativë të bukur, ai duhet të tregojë në publik më shumë punë, më shumë ide të reja politike, organizative dhe më shumë realitet. Le të shpresojmë që fushata e filluar në partinë tonë do t’i krijojë kushte për t’i shfaqur sa më mirë vlerat e tij.
Por nga ana tjetër, kryeministri Berisha ka vendosur të marrë vetë në dorë drejtimin e fushatës në Tiranë. Si e lexoni ju këtë nismë të Berishës, një përpjekje për të “penguar” rritjen politike të Mustafajt, apo një përpjekje për të fituar sa më shumë mbështetje nga kryeqytetasit në Tiranë?
PD-ja ka organizuar grupet e punës me anëtarët e kryesisë sipas qarqeve. Padyshim qarku i Tiranës është qarku më i rëndësishëm i Shqipërisë dhe natyrisht i PD-së. Rezultati i zgjedhjeve të 2009-s në Tiranë është më i rëndësishmi për PD-në. Është kjo arsyeja që zoti Berisha është kryetari i grupit për Tiranën dhe aspak kandidimi i zotit Besnik. Unë gjykoj që dhe zoti Berisha është i interesuar që gara për kryetarin e Tiranës të jetë sa më e pastër, sepse ky është një kusht i nevojshëm për rezultat pozitiv në zgjedhjet e 2009-s në Tiranë.
Si e shikoni përpjekjen për t’u rikthyer të larguarit në parti, siç është Pollo?
PD-ja është e hapur për të gjithë dhe aq më shumë për personat që kanë një kontribut të pamohueshëm në partinë tonë, pavarësisht se cilat ishin shkaqet për të cilat ata u larguan dhe krijuan parti të re. Unë gjykoj që kthimi i tyre në PD duhet të jetë i tillë që të krijojë sinergjinë, të cilën të gjithë anëtarët e PD-së e kërkojnë. Nëse kthimi i dy ose tri figurave në PD nuk do të shoqërohej edhe me kthimin real të pjesës së PD-së që u largua bashkë me ata dy-tre, atëherë kthimi i dy-tre personave mund të kishte efekt pozitiv vetëm për ta ndërsa për PD-në padyshim efekti i kthimit të tyre do të ishte negativ.
Duket se ende në PD vazhdon praktika e emërimeve dhe jo ajo e konkurrenës për postet drejtuese. A prisni që këto zgjedhje të vërtetojnë të kundërtën?
Në Partinë Demokratike proceset zgjedhore nga ana formale gjithmonë kanë qenë të rregullta. Realizimi i këtyre proceseve zgjedhore duke mos krijuar kushtet për të zhvilluar debat idesh, programesh dhe konkurrencë individësh, ka sjellë që zgjedhjet të formalizonin emërimet e paracaktuara. Padyshim që në të gjitha zgjedhjet mendimi i kryetarit të partisë ka qenë determinant. Mendimi determinant i kryetarit ndodh edhe në partitë e tjera perëndimore nëse ai do të dëshironte. Unë shpresoj që këtë radhë zgjedhjet në PD të zhvillohen në kushtet ku debatet, konkurrenca, programet dhe individët të jenë aktorët kryesorë të tyre. Gjithashtu shpresoj që influenca e kryetarit të jetë në ndërtimin e këtij ambjenti konkurrues të ndershëm. Kështu gjykoj që PD-ja mbas zgjedhjeve të tilla do të jetë më e përgatitur për të përballuar me sukses dhe fituar zgjedhjet e 2009-s .
Pas gati 4 vitesh qeverisjeje, mendoni se Partia Demokratike gëzon më pak, apo më shumë mbështetje në elektorat?
Së pari, unë besoj që PD-ja së bashku me aleatët do t’i fitojë zgjedhjet e 2009-s për disa arsye, pa pretenduar se ato janë të vërteta absolute. Në këto tre vite kemi qeverisur më mirë nga paraardhësit, pavarësisht se duhet dhe kishim mundësi të bënim më shumë; kemi arritur rezultate të rëndësishme në politikën e jashtme, si ftesa për në NATO dhe pranimi në 2009-n etj., dhe se mesa shoh deri tani kundërshtarët tanë politikë nuk janë duke afruar asgjë veç propagandës së vjetër në emër të së resë. Ato nuk po afrojnë programe të vërteta dhe individë me vlera për t’u besuar. Unë besoj se është mjaft e vështirë të shtosh elektorat kur je në qeverisje dhe detyra jonë themelore është të mos e humbim atë gjë që gjatë këtyre viteve shpesh herë e kemi rrezikuar. Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2009 do të varet shumë nga puna jonë e këtyre 9 muajve. Gjatë këtij nëntëmujori, ne duhet të jemi të vëmendshëm në të gjitha drejtimet. Çdo gabim kushton se nuk ka kohë për rregullim. Marr shkas të theksoj se marketingu i punës sonë kohët e fundit në shumicën e rasteve ka ngelur në dorën e personave që nuk kanë në përmbajtje tagrën dhe aftësinë e duhur për ta bërë. Në PD gjenden me mijëra që mund ta bëjnë më mirë.
Së fundmi është vënë re një përplasje institucionesh, e cila është lexuar dhe si përplasje klanesh brenda PD-së për më shumë pushtet, ose më saktë për postin e kryetarit të partisë. Ju si e lexoni?
Në PD as ka pasur dhe as ka klane, jo se nuk duan disa, por nuk kanë fuqi për ta bërë. Dhe ato klane që duken në formë janë me bekimin e kryetarit dhe ndonjëherë bëjnë ndonjë mëkat të vogël për llogari të tyre kur kryetari nuk i shikon ose i lejon. Derisa kryetari të jetë i fortë, ato nuk kanë fuqi të bëjnë gjë.
A është projektuar trashëgimtari i Berishës në parti?
Mesa di unë, jo.
30 Tetor 2008