E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha u redukton fondet ambasadorëve për spote televizive për Ministrinë e Jashtme



Kryeministri Berisha kërkon nga ambasadorët shqiptarë që të angazhohen më së shumti në diplomacinë ekonomike, por u redukton fondet për t’i përdorur këto për spote publicitare për Ministrinë e Jashtme. Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e djeshme ka miratuar propozimin e Ministrisë së Jashtme për rishpërndarjen e fondeve të miratuara në buxhetin e vitit 2008 për këtë dikaster.
Kështu, për përfaqësitë diplomatike dhe shërbimin konsullor do të pakësohet fondi prej 20 milionë lekësh për shpenzimet koherente. Këtë shumë duket se do ta përfitojë Ministria e Jashtme për ta përdorur për spote publicitare dhe për promovimin e imazhit dhe vlerave të vendit. Qeveria duket se po i kushton tashmë një rëndësi mjaft të madhe imazhit dhe promovimit të punës së saj në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Pas spotit televiziv të kryeministrit Berisha, Ministrisë së Rendit dhe Ministrisë së Kulturës, tashmë spotet televizive do të bëhen edhe për arritjet e Ministrisë së Jashtme. Ndërkohë, kryeministri Berisha, edhe pse u ngarkoi objektiva shumë të rëndësishëm ambasadorëve për tu fokusuar në diplomacinë ekonomike, fondet e tyre do të pakësohen për të kompensuar paratë që nevojiten për spotetet publicitare që do të përgatiten për Ministrinë e Jashtme.
Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave për rishpërndarjen e fondeve për Ministrinë e Jashtme vijon si më poshtë: Në programin «Planifikim, menaxhim dhe administrim», zëri “Shpenzime korente”, shtohet fondi 4 000 000 (katër milionë) lekë. Në programin “Integrimi europian dhe euroatlantik”, zëri “Shpenzime korente”, shtohet fondi 8 000 000 (tetë milionë) lekë. Në programin «Promovimi i imazhit dhe i vlerave të vendit” zëri “Shpenzime korente”, shtohet fondi 8 000 000 (tetë milionë) lekë. Në programin “Përfaqësitë diplomatike dhe shërbimi konsullor”, zëri “Shpenzime korente”, pakësohet fondi 20 000 000 (njëzet milionë lekë).

30 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›