E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet “kontrata” e qeverisë shqiptare me Komisionin për Zgjerimin Europian



Shaban Sulçe

Komisioni Europian për Zgjerimin ka bërë publike, një javë përpara publikimit të raportit vjetor, “kontratën” që duhet të respektojë Tirana zyrtare me Bashkimin Europian. Në këtë dokument përcaktohen një sërë detyrash, për të cilat qeveria “Berisha” është angazhuar se do t’i realizojë brenda këtij viti. Niveli dhe shkalla e realizueshmërisë së tyre deri tani do të paraqiten në raportin e Komisionit Europian për Zgjerimin, që do të prezantohet në datën 5 nëntor nga kryekomisioneri Oli Rehn. Reforma zgjedhore dhe reforma në Drejtësi zënë një vend të posaçëm në këtë dokument dhe janë konsideruar si prioritetet më të rëndësishme. Siç dihet, deri tani ka pasur shumë probleme për këto reforma dhe qeveria shqiptare pritet të mos u shpëtojë kritikave në raportin e Komisionit Europian për Zgjerimin.

Prioritetet kryesore
Përveç reformës në Drejtësi dhe reformës zgjedhore, Komisioni Europian për Zgjerimin ka renditur një sërë prioritetesh kryesore, të cilat duhet të realizojë qeveria shqiptare. Këto prioritete janë: Forcimi i kapaciteteve administrative në përgatitjen për zbatimin detyrimeve që rrjedhin nga nënshkrimi i MSA-së dhe marrëveshjes së integrimit. Promovimi i dialogut konstruktiv mes partive politike dhe grupeve të interesit mbi realizimin e reformave. Rritja e pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës në sistemin gjyqësor, ku përfshihet mbrojtja kushtetuese e gjyqtarëve, emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në bazë të konkurrencës së ndershme, vlerësimi i tyre në bazë të meritave. Zbatimi i strategjisë antikorrupsion 2007-2013 dhe rekomandimeve të bëra në raportin e 2005-s nga ana e Këshillit të Europës kundër korrupsionit si dhe hetimi dhe ndjekja penale e rasteve të korrupsionit në Polici dhe Prokurori. Zbatimi i rekomandimeve nga zyra e OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut gjatë zhvillimit të zgjedhjeve, veçanërisht duke përmirësuar listat e votuesve, amenduar në kohë Kodin Zgjedhor në të njëjtën linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Forcimi i mëtejshëm i qeverisjes në sektorin publik duke përmirësuar cilësinë dhe paanshmërinë e administratës publike. Përfundimi i procesit të privatizimit të KESH-it dhe divizionit të shpërndarjes. Stabilizimi i gjendjes financiare të KESH-it duke rritur nivelin e arkëtimeve dhe sjelljen e çmimeve në bazë të kostos së energjisë, por duke rritur në të njëjtën kohë furnizimin me energji elektrike të popullsisë. Arritja e rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar.

Qeverisja
Qeverisë shqiptare i është kërkuar gjithashtu adoptimi i strategjisë kombëtare për zhvillimin dhe integrimin duke zbatuar detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit europian. Objektiva të tjera vijojnë me: Zgjerimi i koordinimit me strategjinë e BE-së për integrimin, duke përfshirë këshillimin më të gjerë dhe konsistent me ministritë, grupet e interesit dhe ekspertët e BE-së mbi legjislacioni përkatës. Sigurimi i mjeteve dhe stafeve të trajnuara për Ministrinë e Integrimit Europian dhe zyrat e integrimit europian në mistritë e linjës. Përmirësimi i regjistrit civil dhe sistemit të adresave, futja e kartave elektronike të identitetit dhe pasaportave biometrike. Përsa i përket administratës publike, kërkohet forcimi i ligjit për shërbimin civil dhe rregullat e lidhura me administratën publike. Gjithashtu nënvizohet se rekrutimi, emërimi, promovimi dhe transferimi apo dorëheqjet duhet të kryhen në bazë të rregullave përkatëse me qëllim ngritjen e një shërbimi civil llogaridhënës dhe efektiv bazuar në kritere profesionale të zhvillimit të karrierës.

Sistemi gjyqësor
Për sistemin gjyqësor kërkohet që përmbyllja, përshtatja dhe zbatimi i projektligjit për reformën gjyqësorë dhe përmirësimi i infrastrukturës për sistemin gjyqësor. Kërkohet gjithashtu përmirësimi i koordinimit mes Prokurorisë dhe Policisë, veçanërisht për sistemin e menaxhimit të çështjeve dhe së fundi sigurimi i legjislacionit dhe burimeve të përshtatshme për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Politikat antikorrupsion

Një pjesë e rëndësishme e detyrave që duhet të zbatojë qeveria shqiptare është e lidhur me politikat antikorrupsion. Për këtë kërkohet harmonizimi i Kodit Civil, tregtar dhe administrativ me kodet përkatëse të Këshillit të Europës, forcimi i kapaciteteve institucionale për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve korruptive, zbatimi i legjislacionit për parandalimin e mitdhënies duke mbajtur parasysh koordinimin brenda institucioneve, forcimi i mekanizmave për zbatimin e ligjit mbi deklarimin e pasurive, sqarimi i rregullave në lidhje me parandalimin e konflikteve të interesit për mbajtësit e funksioneve publike, sqarimi i rregullave në lidhje me të drejtën e informimit publik në linjë me standardet ndërkombëtare si dhe reduktimi i imunitetit për zyrtarët dhe garantimi i këtij imuniteti vetëm në rastet kur është rreptësisht e nevojshme.

30 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›