Kupa e Shqipërisë, Vllaznia mbron “nderin” në Librazhd
Të mërkurën, Vllaznia, fituesja në fuqi e Kupës së Shqipërisë (edicioni 2007-2008), do ta nisë mbrojtjen e trofeut në Librazhd kundër Sopotit. Kampionia e Shqipërisë, Dinamo - e ndodhur po në Grupin A – do të udhëtojë në Patos për t’u përballur me Albpetrolin e Kategorisë së Dytë, por që ka qenë edhe një herë në finale. Në grupin B, Tirana, kryesuesja aktuale e Kategorisë Superiore dhe finalistja e humbur e edicionit të 56-të të Kupës së Shqipërisë, është mysafire në Pukë, ku do të përballet me debutuesit e Kategorisë së Parë, Tërbunin. Partizani, rekordmeni absolut i trofeve në Kupën e Shqipërisë - 15 trofe – do të udhëtojë në Tepelenë për t’u përballur me ekipin me të njëjtin emër, por që militon në Kategorinë e Dytë. Në këtë fazë të Kupës së Shqipërisë marrin pjesë 32 ekipe: 12 nga Kategoria Superiore, 16 nga Kategoria e Parë dhe 4 nga Kategoria e Dytë, të cilat janë ndarë në dy grupe (A e B) me nga 16 skuadra. Sipas skemës, teorikisht në gjysmëfinale mund të kemi çiftet Dinamo-Vllaznia (grupi A) dhe Tirana-Partizani (grupi B).
GRUPI A
Gramozi-Shkumbini
Sopoti-Vllaznia
Pogradeci-Teuta
Dajti-Apolonia
Luftëtari-Kastrioti
Laçi-Skënderbeu
Iliria-Besa
Albpetrol-Dinamo
GRUPI B
Tomori-Elbasani
Tërbuni-Tirana
Nafëtari-Flamurtari
Bilisht Sport-Bylis
Turbina-Lushnja
Skrapari-Besëlidhja
Ada-Burreli
Tepelena-Partizani
*Ndeshjet fillojnë në orën 14:00
Partizani, mbreti absolut i Kupës
Partizani vazhdon të mbretërojë në Kupën e Shqipërisë. Skuadra e kuqe mban rekordin absolut me 15 trofe, duke lënë pas rivalët kryeqytetas Tiranën (13) e Dinamon (13).
Fituesit e Kupave
15 Partizani
13 Tirana
13 Dinamo
6 Vllaznia
3 Teuta
2 Flamurtari
2 Elbasani
1 Apolonia
1 Besa
Finalistët e humbur
8 Partizani
8 Flamurtari
7 Tirana
6 Besa
5 Dinamo
6 Vllaznia
5 Teuta
3 Lushnja
3 Skënderbeu
1 Elbasani
1 Albpetrol
1 Tomori
Vasil Bici: “Lushja do të mbijetojë”
Vasil Bici është trajneri i ri i Lushnjës, duke zëvendësuar në këtë detyrë Saimir Malkon, i shkarkuar pas humbjes me Elbasanin (2-0) në javën e 8-të. Ish-tekniku i Dinamos, Shkumbinit, Vllaznisë, Teutës, Kastriotit e konsideroi mbijetesën e skuadrës lushnjare si në mundësi reale. Ndihmës të lezhjanit me banim prej shumë vitesh në kryeqytet do të jenë Saimir Malko e Gëzim Deda. Llazar Gjika do të jetë përgatitës atletik, ndërsa Sami Shefa trajner i portierëve. Sfida e parë e Bicit do të jetë ajo kundër Teutës (vendi i 7-të, 12 pikë). Lushnja është ekipi që ka pësuar me shumë humbje në tetë javët e para: 6 nga 8-të ndeshje të zhvilluara.
Ekipet që kanë ndërruar trajner
Sezoni 2008-2009
BESA:
Iljaz Haxhiaj (java 1-3), Ilir Daja (java 4 e në vazhdim)
BYLIS:
Faruk Sejdini (java 1-3), Dashnor Dume (java 4), Hysen Dedja (nga java 5 e në vazhdim).
LUSHNJA:
Saimir Malko (java 1-8), Vasil Bici (nga java 9)
PARTIZANI:
Hasan Lika (java 1-8), Shpëtim Duro (nga java 9)
Raikonen: “Vit për t’u harruar”
“Nuk ka shumë gjëra pozitive për t’u shpëtuar për mua në këtë kampionat”. “Njeriu i akullt”, piloti finlandez Kimi Raikonen, në vigjilje të Çmimit të Madh të Interlagosit në Brazil, njëherësh edhe etapa e fundit e Kampionatit Botëror të Formula 1, premton se Ferrari do të luftojë deri në fund e do të japë maksimumin. “Duhet të analizojmë në detaje gjithçka që ka ndodhur këtë vit, e të kërkojmë të mësojmë nga gabimet tona”.
Masa: “Asgjë për të humbur”
Presioni është i gjithi mbi Hamiltonin, pilotin e skuderisë Meklaren, që kryeson kampionatin e Formula 1. Ferraristi Felipe Masa e shikon si të mundshme një fitore të tij në Interlagos. “Unë nuk kam asgjë për të humbur”, - thotë Masa, i cili ka shtatë pikë më pak se britaniku, kur duhet edhe vetëm një garë. Etapa e fundit zhvillohet në Brazil, përpara publikut të Masës, por Felipe duhet të fitojë dhe Hamilton të gabojë.
29 Tetor 2008