E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, ftesë Katarit për të investuar në projektet e gazit në Shqipëri



Gjatë vizitës në shtetin e Katarit në Gjirin Persik, kryeministri Berisha, i cili shoqërohej edhe nga ministri i Financave, Ridvan Bode, i ka bërë ftesë qeverisë së këtij vendi islamik që të investojnë në vendin tonë në projektet energjetike dhe të gazit. "Një vend të veçantë në bisedimet tona, si dhe një nga qëllimet, është edhe projekti i madh i Semanit. Ky projekt prej rreth 2.5 miliardë eurosh është një nga projektet më gjigante të rajonit dhe më gjerë", - u shpreh kryeministri Berisha, i cili theksoi se "ftova qeverinë e Katarit që mbi bazën e interesit komercial të marrë pjesë në këtë projekt, sikundër iu kërkova që të garantojnë sigurimin me gaz të këtij projekti të madh, në rast se nuk përfshihen direkt". Për shkak të interesimit të këtij projekti, shumë shpejt do të vijë në Shqipëri ministri i Naftës dhe i Gazit të Katarit për të negociuar. "Mendoj se dhe ky ishte një rezultat shumë i rëndësishëm i kësaj vizite, pasi autoritetet e këtij vendi treguan interes real për projektin e Semanit, që është një nga projektet më të mëdha në rajon për rigazifikimin dhe prodhimin e energjisë", - u shpreh Berisha. Kryeministri Berisha tha se qeveria mirëpret kompanitë e Katarit që operojnë në fushat e energjisë, shëndetit dhe arsimit. "Shumë kompani nga Katari po punojnë në sektorin e turizmit në Shqipëri dhe kanë bërë një progres të shpejtë",- tha ai, duke shtuar se "qeveria e Katarit shfaqi interes të madh për projektin e gazit të lëngshëm në Shqipëri, i cili është një projekt në të cilin investitorët e Katarit janë të mirëpritur".

Qeveria rrit pragun e garantimit të depozitave të qytetarëve deri në 25 mijë euro

Kryeministri Berisha njoftoi dje se qeveria do të rrisë pragun e garantimit të depozitave për qytetarët deri në 25 mijë euro. “Trendi pozitiv i rritjes së kursimeve në bankat e vendit, gjatë dy muajve të fundit, inkurajon qeverinë që, së bashku me bankat, të rrisë garancinë e plotë për kursimet deri në 25 mijë euro të qytetarëve. Me këtë projektligj qeveria shqiptare vendos një standard europian të garantimit të depozitave të qytetarëve”, - u shpreh kryeministri dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Me këtë projektligj, tha kryeministri, qeveria merr përsipër të garantojë mbi 80 për qind të të gjitha depozitave bankare, së bashku me bankën. “Agjencia e Garantimit të Depozitave, e ngritur dhe që funksionon, do të ketë tashmë një fuqizim të ri të madh, i propozuar nga Ministria e Financave dhe që lidhet direkt me rritjen progresive të nivelit të depozitave në bankat shqiptare”. Kryeministri Berisha tha se ky vendim është i domosdoshëm për të garantuar edhe kursimet e emigracionit shqiptar. “Ky është vendim me impakt shumë pozitiv për të gjithë emigrantët, të cilët depozitojnë në bankat e Shqipërisë paratë e tyre, duke i pasur 100 për qind të sigurta në masën deri në 25 mijë euro”.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›