E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i energjisë elektrike, qeveria bën fushatë me premtimin për mosrritje

Privatizimi i OSSH-së parashikon rritjen e çmimit. Sipas Rulit, borxhet e OSSH-së do ti kalojnë KESH-it

Ervin KOÇI

Rritja ose jo e mëtejshme e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë, pas privatizimit të OSSH-së, ka nisur të përdoret nga qeveria si një premtim elektoral. Edhe pse kontrata me kompaninë çeke “CEZ”, e cila ka privatizuar OSSH-në, e parashikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët, qeveria e ka fshehur një fakt të tillë duke pretenduar se është duke mbrojtur konsumatorin. Ministri i Energjetikës, Genc Ruli, ka deklaruar se shteti shqiptar ka instrumentet e nevojshëm për të mbrojtur konsumatorët dhe për të rregulluar tregun e energjisë si në drejtim të furnizimit me energji, ashtu edhe çmimit. Sipas tij, “pas blerjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kompania çeke, ‘CEZ’, do të furnizojë pa ndërprerje me energji konsumatorët shqiptarë”. Ai ka vijuar më tej duke thënë se, arritja e parë e kryesore që do të ndihet menjëherë do të jetë furnizimi i pandërprerë dhe me cilësi me energji elektrike. “Shteti në finale nuk i humbet të gjithë instrumentet për të ndikuar në tregun e energjisë elektrike apo në çmimin e energjisë. Nëse shteti në periudha të caktuara, për arsye ekonomike apo sociale, mund të vendosë të mos ketë rritje të menjëhershme apo shumë të lartë të energjisë elektrike, ajo do të zbatohet”, - tha ministri Ruli.

Rritja e çmimit

Edhe pse nuk ka pranuar rritjen për këtë vit të çmimit të energjisë, ministri Ruli nuk e ka mohuar faktin që ai mund të rritet vitin tjetër. Qeveria pranon se privatizimi i OSSH-së sjell edhe disa rreziqe për të ardhmen, që burojnë nga monopoli i privatit por edhe pushteti i tij financiar për të ndikuar te institucionet që do të kenë kompetencat për të vendosur çmimet e energjisë. “Rreziku ekziston edhe në vendet më të zhvilluara, por më shumë se një panik duhet marrë si një përgjegjësi për të hartuar politika të kujdesshme”, - u shpreh Ruli. Megjithatë, Ruli deklaron se edhe pas privatizimit, qeveria do të ketë disa mekanizma për të mbrojtur qytetarët. “Fakti që ne kemi prodhimin na jep instrumente të ndikojmë në tregun e energjisë si në furnizim, ashtu dhe në tarifa”, - u shpreh Ruli.

Borxhet e OSSH-së

Ministri i Ekonomisë, Ruli, ka sqaruar problemin e çmimit të shitjes së OSSH-së. Sipas tij, vlera e shitjes u zvogëlua për vitin 2008 në krahasim me 2007-n për shkak të gjendjes financiare me të cilën rezultonte ky sektor dhe rritjes së çmimit të energjisë në tregun botëror. Më tej Ruli ka bërë të njohur edhe borxhet që do të paguajë kompania çeke “CEZ”, ku, sipas tij, “të gjitha borxhet janë afatshkurtra dhe pjesa më e madhe e borxheve prej rreth 65 milionë eurosh i ka kaluar KESH-it për t’u paguar”. Ai ka shtuar më tej se, “ishte një veprim i imponuar nga vetë kushtet e tenderit të përcaktuara që në vitin 2007”. “Këtë kusht e kemi pasur në dokumentet e tenderit, për shkak të blerjeve më të mëdha se planifikimi që bëmë në 2008-n dhe çmimet e larta që ka pasur tregu ndërkombëtar i energjisë”, - tha Ruli, duke sqaruar se gjatë kësaj periudhe janë blerë mbi 2 miliardë kw/orë energji për shkak të thatësirës që zgjati deri në nëntor të vitit 2007. Privatizimi i 76 për qind të aksioneve shtetërore të OSSH-së është bërë me vlerë 105 milionë euro. Në këtë proces është e angazhuar edhe Banka Botërore, e cila ka financuar një shumë prej 50 milionë eurosh. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht tri kompanitë energjetike, OSSH-ja, OST-ja dhe KESH-i, kanë një borxh total prej 150 milionë eurosh, nga të cilat shpërndarja ka vetëm një pjesë të vogël. Investitori çek, krahas çmimit prej 102 milionë euro të blerjes së 76 për qind të aksioneve, do të shlyejë edhe borxhet e OSSH-së deri më 1 janar 2008, kur u hap edhe gara për këtë privatizim.

ZMQ: “OSSH-ja të tregohet transparente për faturat amorfe”

TIRANË- Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ka denoncuar dje abuzimet që, sipas saj, janë bërë me faturat e energjisë elektrike. Përfaqësues të kësaj zyre kanë deklaruar se janë të shumtë qytetarët që janë ankuar për faturat e fryra të dritave të muajve janar dhe shkurt. Në këto kushte, ZMQ-ja i kërkon Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes që të bëjë transparente problemet e ngritura dhe enteve të tjerë shtetërore që të nisin procedurat për zbardhjen e kësaj çështjeje. “Faturat e energjisë mujore mbi 35 mijë lekë të reja nuk mund t’i konsumojë asnjë familje pasi këto janë kuotat e konsumit në uzina apo ndërmarrje. Ajo që bie në sy nga vëzhgimi i pikave të OSSH-së është se në asnjë prej tyre nuk jepet shpjegim për çmimet e larta të faturave”, - tha Redi Ramaj, përfaqësues i ZMQ-së
ZMQ-ja ngre edhe problemin e pagesës së taksës për Televizionin Publik Shqiptar, e cila i bashkangjitet faturës së energjisë elektrike. Sipas përfaqësuesve të kësaj zyre, “në asnjë pikë të kontratës të lidhur mes OSSH-së dhe konsumatorit shqiptar nuk parashikohet një detyrim i tillë”.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›