E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Qeveria sulm Gjykatës

Tiranë -Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar sot sulmin e qeverisë në drejtim të drejtësisë. Në një reagim publik, nënkryetari Pëllumb Xhufi ka denoncuar sipas saj këtë revansh të qeverisë së Sali Berishës kundër institucioneve dhe kundër vetë shtetit të së drejtës, që nisi me ndryshimet kushtetuese dhe që po detajohet tani në goditjet një për një, kundër organeve kushtetuese.

“Presionet e fundit mbi Gjykatën Kushtetuese e mbi anëtarë të veçantë të saj, synojnë fillimisht që në pritje të shqyrtimit të Ligjit për pastërtinë e figurave, ta paralizojnë këtë gardian të fundit të drejtësisë, për të mundësuar kështu zbatimin e këtij ligji tërësisht antikushtetues”-theksoi Xhufi, duke përmendur këtu deklaratat nga KE-ja, që ka kritikuar ashpër ligjin e dosjeve.

“Sot është radha e Gjykatës Kushtetuese të gjendet përballë një prove të rëndë, që për të është prova e zjarrit. Sot është dita kur kjo gjykatë ka përgjegjësinë historike për të mbrojtur, jo veten e saj, por ligjin, kushtetutën e shtetin e së drejtës, nga sulmet e taborrit anti-shtet, që përfaqësohet nga qeveria Berisha”-tha më tej Xhufi, duke i kërkuar këtij institucioni që të sillet me dinjitet në mbrojtje të ligjit e të institucioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›