E Hënë, 2 Nëntor 2026

Studenti maqedonas kërcënon Presidentin Cërvenkovski

10/12/2004  Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, është kërcënuar me një e-mail prej një studenti maqedonas, Tashko Tashev. Fillimisht, organet e rendit kanë dyshuar mbi një student shqiptar të Maqedonisë. Ky lajm është përhapur menjëherë prej mediave në Maqedoni. Por, pas një sërë hetimesh, është zbuluar se e-mailet kërcënuese dërgoheshin prej një qyteti të Bullgarisë, ku dhe studionte Tashev. Sipas të dhënave paraprake rezultonte se studenti kishte kërcënuar dhe më parë familjen e kontit të Rotshild. Tashmë Tashev është izoluar prej policisë, ndërsa vetëm pas përfundimit të hetimeve do të merren masat konkrete.

Dyshimet

Kanë mbërritur dje në Shkup përgënjeshtrimet e para të lajmit sensacional nga Bullgaria se Presidentin e Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, për shumë kohë e kanë kërcënuar me mesazhe e-maili në faqen e tij zyrtare një student shqiptar, 22 vjeç, nga Maqedonia që studionte në Stara-Zagorë të Bullgarisë. Agjencia bullgare e lajmeve, BGNES, duke iu referuar mediave të Shkupit, thekson se lajmi i dhënë se përkatësia e kërcënuesit është shqiptar, është i gënjeshtërt. Sipas të njëjtave lajmeve, kërcënimet janë bërë nga Stara-Zagora e Bullgarisë, prej një studenti nga Maqedonia me emrin TashkoTashev. Ndërsa menjëherë pas kësaj kanë nisur procedurat e izolimit të kërcënuesit.

Kërcënuesi

Tashev, 22 vjeç, është student maqedonas në Fakultetin e Mjekësisë, në Stara Zagorë, të Bullgarisë. Mësohet se ai ka kërcënuar me vdekje jo vetëm Cërvenkovskin, por edhe familjen Rotshild, pronarë të Bankës ROTSHILD. Mediat e Sofjes thonë se Tashko Tashev, ende nuk është akuzuar zyrtarisht për kërcënimet ndaj Cërvenkovskit, por autoritetet vendosën që ta mbajnë në paraburgim, meqë tashmë është ngritur aktakuzë për kërcënimet ndaj katër Rotshildëve. Avokati i Tashevit paralajmëroi ankesa ndaj vendimit për paraburgim, duke shtuar se porosia "për shkak të luftërave dhe bombave do t`ju mbërrijë vdekje e ashpër", që është dërguar deri te Rotshildët, nuk përmban kërcënime personale. Studenti i Maqedonisë ka kërkuar nga gjykata që të mos e dërgojnë në burg, me arsyetim se "kjo do ta shkatërrojë atë dhe familjen e tij". Para gjykatës ka dëshmuar profesori i Universitetit në Stara Zagorë, i cili Tashevin e ka karakterizuar si "student të shkëlqyer dhe njeri të ri me kulturë të pasur", i cili njëherit është autor i "eseut më të mirë për Stara Zagorën të botuar në shtypin maqedonas".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›