E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha fton Ramën të kandidojë për deputet dhe të dorëzojë kolltukun e bashkisë

Kryeministri Sali Berisha ka ftuar kundërshtarin e tij socialist Edi Rama në duel politik, duke i kërkuar zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë dhe të kandidojë si deputet. Ndryshe nga akuzat e ditëve të fundit, kreu i qeverisë këtë radhë ka ndryshuar kritikat e tij, të cilat këtë radhë kanë qenë më të drejtpërdrejta. Në qytetin e Krujës, Berisha i ka bërë thirrje liderit socialist për të hequr dorë nga fustanet dhe karrigia e Bashkisë së Tiranës dhe të garojë për deputet, duke u treguar në këtë mënyrë të gjithë socialistëve të vërtetë se di të garojë për kryeministër. Sipas Berishës edhe pse zgjedhjet ende nuk janë zhvilluar, qëndron një lidhje, një qëndrim ogurzi, që është karrigia e Ramës, duke veçuar në këtë kontekst faktin se ky i fundit nuk di gjë tjetër, përveçse mbi nxirjen dhe mohimin të ngrejë karrigen e tij. Megjithatë unë i bëj thirrje zotit Rama; hajde këtu në Krujë, ngrije kokën lart, ki guxim dhe shihe drejt e në sy Skënderbeun, sepse dashtë Zoti të jep pak forcë të japësh dorëheqjen nga kryetar i Bashkisë dhe të dalës në shesh të mejdanit, për të treguar se fundi yt politik është data 28 qershor. Dil në shesh të burrave dhe mos u fshih pas karriges së Bashkisë. Dil, edhe një herë të them, sepse ata që të ndjekin ty, ata socialistë të ndershëm, duan të të shohin ty të garosh për Kryeministër dhe jo të fshihesh pas fustaneve të Bashkisë, pas karrigeve të Bashkisë, theksoi Berisha. Nëpërmjet përsëritjes së ftesës për kandidimin për deputet drejtuar Ramës, kreu i qeverisë ka shprehur i bindur disfatën e thellë, duke e cilësuar këtë humbjen më të madhe që ka njohur ndonjëherë ndokush në zgjedhjet në Shqipëri. Ndër të tjera Berisha ka theksuar se Rama me gazetën dhe mediat e tij, ka ndërmarrë sulmin më të turpshëm dhe më të pashembullt ndaj Skënderbeut. Ata që u përpoqën që Skënderbeun ta nxjerrin serb, ata nuk janë gjë tjetër veçse vasalë të Dushanit, të cilët në këtë kohë, me këtë komb dhe me moralin e tij nuk kanë asgjë të përbashkët. Natyrisht, janë qesharakë. Por, Skënderbeu aq saç është i gdhendur në gurët dhe shkëmbinjtë e këtij vendi, të këtij qyteti, po aq është edhe në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve. Unë jam i bindur se kjo alternativë, alternativa e mohimit dhe e përçarjes, do të marrë ndëshkimin më të merituar më datë 28 qershor, nënvizoi Berisha. Kreu i qeverisë u shpreh i sigurt për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, duke thënë se shqiptarët do të zgjedhin alternativën e kësaj mazhorance për një Shqipëri që ndryshon përmes reformave të thella dhe investimeve prej disa miliarda dollarëve. Kjo alternativë po ndryshon qartësisht jetën tonë, po ndryshon emrin tonë, po ndryshon qenien tonë. Kjo alternativë që ka fituar besim të jashtëzakonshëm jo vetëm politik, por që ka fituar një besim në mbarë botën për biznesin. Ju e keni parë, unë inaugurova në Lezhë fillimin e punimeve për ndërtimin e parkut energjetik, me vlerë 1.1 miliardë euro. Unë dhjetëditëshin e parë të qershorit, së bashku me ju, do të inaugurojmë fillimin punimeve për hidrocentralet në kaskadën e Devollit, projekti më i madh në Evropë për energjinë, me vlerë 1.2 miliardë euro, veçoi ai. E vërteta sipas Berishës qëndron tek fakti që Shqipëria po ndryshon, duke parashtruar përballë kësaj alternative, atë të trillimeve dhe shpifjeve të një opozite që lufton për karrige. Përballë kësaj alternative ka dhe një alternativë tjetër që është alternative e nxirjes, alternativa e damkosjes, alternativa në të cilën thuhet në mënyrë absolute; Rroftë karrigia dhe poshtë Shqipëria. Unë ju garantoj se midis shpifjes dhe trillimit për vjedhjen e orës së Presidentit Xhorxh Bush nga qytetarët e Fushë Krujës, që e pritën siç do të prisnin Skënderbeun; mitingut kobzi më 4 prill 2008, pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO; kërkesave në kancelaritë e Evropës për të mos anëtarësuar Shqipërinë në NATO. Ai nuk di gjë tjetër përveç se mbi nxirjen dhe mohimin të ngrejë karrigen e tij, ka vijuar kreu i qeverisë. Në Krujë, kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e punimeve në rrugën Krujë-Abazaj, investim ky me vlerë 38 milion lekë si dhe sistemin e ndriçimit të gjithë rrjetit rrugor të qytetit me një vlerë prej 25 milion lekësh. Kreu i ekzekutivit inauguroi gjithashtu dhe fillimin e punimeve për rikonstruksionin e sheshit dhe të rrugës para Bashkisë, investim prej 41 milion lekësh. Në tetë vitet e qeverisë socialiste në Bashkinë e Krujës janë investuar 180 milionë lekë, ndërsa gjatë këtyre katër viteve janë investuar 1 miliardë e 550 milionë lekë. Po kështu, në këtë takim me banorët e Krujës, kryeministri foli edhe për rritjen e pagave e pensioneve dhe deklaroi ulja e mëtejshme e varfërisë deri në zhdukjen e saj të plotë, do të jetë prioritet i qeverisë së djathtë që do të dalë pas 28 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›