E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi vlerëson mbështetjen e Bullgarisë për anëtarësimin në NATO

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u takua të premten në Durrës me  zëvendës presidentin e Republikës së Bullgarisë, Angel Marin, gjatë të cilit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe si dhe  mbështetjen e Bullgarisë për anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se zëvendës presidenti i Republikës së Bullgarisë, Angel Marin dhe delegacioni që e shoqëron atë ndodhet në Shqipëri në kuadër të konferencës ndërkombëtare E ardhmja dhe siguria e Ballkanit Perëndimor, që u zhvillua dje në Durrës. Në takimin që pati me z. Marin, Presidenti Topi e cilësoi Bullgarinë një vend mik dhe partner në rrugën e përbashkët të integrimit euroatlantik. Kreu i shtetit shqiptar, duke shprehur me këtë rast rëndësinë e shkëmbimeve të vizitave reciproke të niveleve më të larta, siç ishte ajo e para disa kohëve e Presidentit Parvanov në vendin tonë dhe e delegacionit parlamentar bullgar, theksoi se këto marrëdhënie të ngushta forcojnë akoma më tej dialogun dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat mes Shqipërisë dhe Bullgarisë. Në këtë kuadër, Presidenti Topi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, duke shprehur besimin në vazhdimësinë e saj edhe në të ardhmen, me një bashkëpunim të gjerë në kuadrin e NATO-s dhe përfitimin nga përvoja e çmuar integruese bullgare. Gjithashtu, Kryetari i shtetit shqiptar shprehu dëshirën dhe besimin në ndihmesën e Bullgarisë për Shqipërinë, për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Presidenti Topi dhe zëvendës presidenti bullgar, Angel Marin, diskutuan edhe për disa projekte konkrete, kryesisht në fushën e ekonomisë, energjetikës, tregtisë, etj, dhe në rëndësinë e realizimit të projekteve domethënëse siç është ai i Korridorit të 8-të, çka do ti jepte një përparësi të veçantë zhvillimit më të shpejtë të vendeve të rajonit në përgjithësi. Në këtë kontekst, Presidenti Topi vuri në dukje se një rol parësor do të luante liberalizimi i regjimit të vizave nëpërmjet vullnetit të përbashkët politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›