LSI prezanton 5 kandidatët e saj për deputetë në Mallakastër
Mallakastra përfaqësohet në zgjedhjet e 28 Qershorit me pesë kandidatë nga LSI, me anë të të cilëve synohet të përmbushet synimi madhor, ai i daljes si forcë e parë politike në këto zgjedhje. Duke vlerësuar përbërjen e listës së 16 kandidatëve të kësaj force politike bie në sy që në krah të kandidates së rrethit të Mallakastrës, mjekes Luljeta Bregasi qëndrojnë dhe emrat e kandidatëve të tjerë si të biznesmenit dhe juristit Bujar Hasa, inxhinierit dhe pedagogut të universitetit Ervin Muskaj, agronomit Bardhyl Fasko dhe historianit Hysni Bogdani.
Kreu i shtabit elektoral të qarkut të Fierit, Dritan Prifti ka shprehur bindjen se me këta kandidatë Mallakastra do të përmbushë objektivin e saj për të dalë një forcë e parë politike në këto zgjedhje. Duhet të vlerësohet fakti që këta kandidatë janë garanci e kësaj fitoreje. Sot ata me praninë e tyre këtu në Mallakastër, kanë treguar qartë se do të punojnë me ambicien e madhe të të qenit fitues, është shprehur Prifti gjatë takimit të shtabit elektoral të rrethit të Mallakastrës, ku ka theksuar rëndësinë që ka ky proces zgjedhor për LSI, për vetë faktin se kodi zgjedhor tashmë parashikon vetëm votimin për forcën politike. Ndaj është një detyrë madhore për të gjithë që në sajë të përkushtimit të përmbushjes me sukses të të gjitha synimeve dhe objektivave të shkohet në rezultatin e dëshiruar. Por ajo që duhet vlerësuar me shumë përgjegjshmëri është në këto momente pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e pajisjes së tyre me kartat e identifikimit, ka vijuar Prifti, sipas të cilit të gjitha makinacionet e Berishës synojnë mbetjen e një numri sa më të lartë të shtetasve pa dokumente identifikimi, duke kërkuar të realizojnë manipulimin e radhës për këto zgjedhje.