E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendorët socialistë bojkotojnë takimin në ministri, ankohen tek KE



Krerët vendorë të Partisë Socialiste kanë ndjekur shembullin e deputetëve të kësaj partie, duke bojkotuar takimet zyrtare. Ata dje nuk ishin të pranishëm në takimin e organizuar nga zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, që kishte të bënte me aktivitetet që do të mbahen në “Javën Evropiane të Demokracisë Vendore”. Ata kanë preferuar të protestojnë ndaj qeverisë qendrore, duke pretenduar se u është prekur autonomia dhe kësisoj vajtën në zyrat e përfaqësive të Komisionit Evropian dhe të OSBE-së në Tiranë. Poni e cilësoi këtë veprim absurd, duke e përshtatur me një fjalë popullore, që në “festë nuk flitet për të vdekurin”, ndërkohë që shtoi se takimi i shërben konsolidimit të decentralizimit të pushtetit vendor. Në të njëjtën kohë, kryetarët e bashkive socialiste u takuan me drejtuesit e misioneve të OSBE-së dhe KE-së, Robert Bocsh dhe Helmut Lohan. Ata u shprehën se tema e diskutimit ishte “cenimi i autonomisë që po i bëhet pushtetit vendor nga qeveria”. Ata u shprehën të indinjuar ndaj veprimeve të mazhorancës, e cila sipas tyre, po zbraz arkat e pushtetit lokal.

PS përshëndet PE-në për vizat, por nuk heq dorë nga protesta

Partia Socialiste tha se opozita do të bashkëpunojë me vendet partnere të BE-së për liberalizimin e vizave. Arta Dade në emër të PS-së përshëndeti vendimin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian që favorizon Shqipërinë në heqjen e vizave. "Ne do të vazhdojmë të përshkallëzojmë luftën tonë politike në mbrojtje të demokracisë dhe për këtë arsye u kemi bërë thirrje qytetarëve, për të mbrojtur demokracinë. PS do jetë gjithmonë e gatshme të bashkëpunojë me partnerët evropianë, në mënyrë të veçantë, me BE që Shqipëria të përfitojë nga liberalizimi i vizave. Vlerësojmë vëmendjen e komisionit të jashtëm lidhur me këtë çështje, në mënyrë të veçantë për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, si dy vende të futura të fundit në këtë proces", - deklaroi Dade.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›