E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fton opozitën të bashkëpunojë për integrimin

Në një konferencë për shtyp nga selia e qeverisë, Berisha theksoi se deklarata është një inkurajim i madh për aspiratat e vendit  tonë drejt statusit të vendit kandidat.

“Shfrytëzoj rastin për të siguruar ministrat e Jashtëm dhe qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Komisionin Evropian se për qeverinë time procesi i integrimit, përmbushja e kritereve, normave, standardeve dhe aquive komunitare është përparësi e të gjitha përparësive. Unë mbetem optimist. Kam kërkuar dhe kërkoj një proces që duhet të bazohet tërësisht mbi performacën e qeverisë shqiptare. Unë i garantoj qytetarët shqiptar se do të procedohet me të gjitha reformat që mundësojnë shpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të procedohet me të gjitha detyrimet që mundësojnë mbajtjen e premtimit tim elektoral se gjatë vitit të parë të mandatit tim të dytë do të liberalizohen vizat për qytetarët shqiptarë”, tha ndër të tjerash kryeministri i Shqipërisë.

Një pikë tjetër në konferencën e kryeministrit Berisha ishin edhe zgjedhjet, ku ka theksuar se për herë të parë fituesi nuk shpall fitoren por pret rezultatin përfundimtar. Berisha ka ftuar opozitën që të dalë nga sindromi i hidhërimit dhe i trishtimit që krijon humbja, dhe të vendosë .urat e bashkëpunimit në interesin më të mirë të pluralizmit politik dhe në interesin më të mirë të vendit.

“Unë e garantoj se qëndroj plotësisht i vendosur në frymën e kompromiseve dhe të bashkëpunimit, për të proceduar në reformat më të thella dhe në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe të vendit. Unë garantoj se mbetem shumë vlerësues për kontributin e saj. Katër vitet që vijnë janë të një rëndësie historike për Shqipërinë, janë vite në të cilat ne do ta përgatisim këtë vend për verdiktin final, janë vite në të cilat ne do të bëjmë që të gjitha proceset të ecin me një shpejtësi të atillë që ne nuk e parashikojmë sot. Janë vite në të cilat ne do të bëjmë që Shqipëria të mbetet vend lider për investimet e huaja në rajon”, tha më tej kreu i qeverisë.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›