E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Zgjedhor, certifikimi i zgjedhjeve pas një javë

27/07/2009  Ligji parashikon 5 ditë afat për ankimimin e vendimit të KQZ-së

“Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë brenda pesë ditëve nga shpallja e tij”, - është kjo pika e fundit e çdo vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpërndarjen e mandateve dhe përcaktimin e fituesve për qarqet e Republikës së Shqipërisë, detyrim i Kodit Zgjedhor, që shtyn certifikimin e zgjedhjeve në një kohë të më vonë se përfundimi i ankimimeve në Kolegj. Duke qenë se KQZ-ja do të vendosë për ndarjen e mandateve edhe për tre qarqet e fundit – Fierit, Shkodrës dhe Tiranës – gjatë mbledhjes së sotme, atëherë do të jetë pikërisht kjo koha e nisjes së llogaritjes së afatit pesëditor për ankimimin e vendimit në gjykatë. Në këtë mënyrë, fillimi i muajit gusht do të shënojë edhe certifikimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Kjo është konfirmuar nga vetë kryetari i KQZ-së Arben Ristani gjatë një prononcimi për mediet, i cili ka sqaruar se miratimi i mandateve për tre qarqet e fundit nuk shënon fundin e këtyre zgjedhjeve. Numri një i institucionit kryesor për administrimin e zgjedhjeve ka deklaruar se, megjithëse nuk priten ndryshime në rezultatin final, për ta shpallur atë KQZ-ja është e detyruar të respektojë afatet ligjore. Realisht kjo është më tepër një teknikë ligjore, që duhet respektuar nga institucioni i KQZ-së, por që në fakt nuk ndryshon asgjë nga ajo që është vendosur deri tani për sa u takon mandateve dhe emrave fitues për secilin qark. Beteja mes PD-PS për rezultatin përfundimtar u mbyll që të premten, kur Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesëpadive të fundit të subjekteve zgjedhore për rezultatin e qarkut të Tiranës dhe të Shkodrës. Pavarësisht afatit pesëditor për ankimin e vendimit të KQZ-së, mbetet e pandryshueshme fitorja nga koalicioni i Partisë Demokratike të 70 mandateve për parlamentin e ardhshëm shqiptar, të 66 mandateve nga koalicioni i kryesuar nga Partia Socialiste dhe të 4 mandateve nga koalicioni i Ilir Metës, Lëvizjes Socialiste për Integrim. Certifikimi i rezultatit nga KQZ-ja do t’i hapë rrugë zyrtarizmit të koalicionit me PD-së dhe LSI-së si dhe përgatitjeve për krijimin e qeverisë së re.

Rezultati përfundimtar

Neni 167 i Kodit përcakton se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë nga data e shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore dhe pasi të kenë përfunduar procedurat e këtij kodi. Gjithashtu në pikën 7 të nenit 163 thuhet se shpërndarja e mandateve për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim, i cili mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor.

Mandatet e fundit

KQZ-ja pritet të miratojë sot ndarjen e mandateve brenda koalicioneve dhe të përcaktojë fituesit e zgjedhjeve të përgjithshme për Qarkun e Fierit, Shkodrës dhe të Tiranës. Sipas vendimeve të vetë KQZ-së, i cili nuk u ndryshua nga Kolegji, mandatet e Fierit janë 9 të PS-së dhe 6 të PD-së, 1 i LSI-së; në Shkodër 7 i ka fituar PD-ja dhe 4 i ka fituar PS-ja; në Tiranë PD-ja dhe PS-ja nga 16 mandate, LSI-ja dhe PR-ja nga 1 mandat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›