E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtime për vazhdimin e investimeve të mëdha

27/07/2009  Kryeministri Sali Berisha vazhdon turin “Shqipëria po ndryshon”

Turi nisi para zgjedhjeve dhe u konceptua në funksion të fushatës

Kryeministri Sali Berisha nuk e ka ndalur turin e tij “Shqipëria po ndryshon”, i cili nisi pak kohë para fillimit zyrtarisht të fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Turi ishte konceptuar tërësisht në funksion të fushatës elektorale, ku kreu i qeverisë, njëherësh lideri i Partisë Demokratike, përcolli mesazhet elektorale. Por Berisha po e vazhdon thuajse me të njëjtin intensitet turin e tij, duke vizituar qytete të ndryshme të vendit. Ai po u rikthehet disa qendrave të rëndësishme urbane, duke vazhduar me ceremoni inaugurimesh të përfundimeve të investimeve publike apo nisjen e disa të rejave. Gjatë vizitave të ditëve të fundit në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon” kreu i qeverisë ka shprehur falënderimet e tij elektoratit që e votoi atë për një mandat të dytë qeverisës. Berisha ka vizituar Durrësin, Burrelin, Kukësin, Pogradecin. Në këtë takime ai ka premtuar vazhdimin e investimeve të mëdha në fushata të rëndësishme, të cilat do të mundësojnë rritjen ekonomike të vendit. Berisha ka premtuar shtimin e investimeve në ripërtëritjen e infrastrukturës rrugore, duke premtuar se do ta shndërrojë atë ndër më modernet. Po ashtu ai ka premtuar shtimin e investimeve, të cilat do të bëjnë të mundur furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerje në të gjitha shtëpitë. Në këto takime shefi i ekzekutivit nuk ka lënë pa sulmuar dhe akuzuar kundërshtarin e tij kryesor politik, kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Më së fundi gjatë vizitës në fundjavë në qytetin e Kukësit, Berisha i dha përgjigje qëndrimit të kryesocialistit Rama, i cili kishte deklaruar se PS-ja nuk do të njohë zgjedhjet parlamentare dhe qeverinë që do të dalë prej tyre, me pretendimin se ato u vodhën nga pushteti i Berishës. “Doli e deklaroi se nuk do të njohë legjitimitetin qeverisë, prapë një marrëzi. Nuk është ai që përcakton legjitimitetin e qeverisë, pasi atë e përcakton sovrani, i cili i rezervoi atij banesën e humbjes, i dha humbjen. Tani po të dojë të bëjë Hamletin çdo ditë në monologun e tij, ne do të ecin drejt Shqipërisë europiane”, - deklaroi kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›