E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha u bën apel matjanëve që të aplikojnë për kartat e identitetit

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim elektoral me banorët e rrethit të Matit, ku ju bëri thirrje banorëve të këtij rrethi që të vazhdonin të bënin aplikimet për kartat e identitetit. Sipas tij pajisja me kartë identiteti është një gjë e domosdoshme. Kam një thirrje vëllazërore për ju, këto dy ditë pyesni çdo mik, çdo shok, çdo familjarë, çdo të afërm, nëse e ka marrë apo jo letërnjoftimin e ri. Nëse jo le të shkojë ta marrë. Letërnjoftimi është  dëshmia më moderne e identitetit tonë të plotë, u shpreh Berisha. Ndër të tjera ai tha se është një fat që shqiptarët dhe matjanët po përdorin një mjet identifikimi siç po përdorin të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Gjithashtu ai ju bëri thirrje socialistëve të Matit që të bashkohen më Partinë Demokratike dhe të votojnë atë në 28 qershor sepse sipas tij, ajo është forca e cila do ta çojë Shqipërinë edhe më përpara. Socialistë të Matit, ju bëj thirrje që të mos jepni asnjë votë për Edi Ramën, sepse Edi Rama, ky burracak nuk ia mbajti të dalë në shesh, nuk ia mbajti të dalë në krye të listës tuaj dhe u fut nën tavolinën  e Kryetarit të Bashkisë. Ai e bëri këtë sepse nuk ka pikën e respektit për ju, e bëri këtë sepse ai nuk ka interes tjetër, përveç lejeve të ndërtimit, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›