E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha fuqizon kompetencat e Inspektoratit, FNSH për prishjet emergjente



Tashmë, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik do të ketë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat do të prishin të gjitha ato objekte, të cilat përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve dhe janë në shkelje të ligjit. Mbrëmë, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin lidhur me zgjerimin e përgjegjësive dhe detyrave të këtij Inspektorati. Në këtë draft është parashikuar edhe ngritja e FNSH-së pranë këtij institucioni.
Kryeministri u shpreh se kjo bëhet para së gjithash dhe mbi të gjitha për të mbrojtur jetën e qytetarëve shqiptarë. “Ajo që ndodhi në pallatin e Gjirokastrës, për shkak të papërgjegjësisë të autoriteteve vendore apo të tjera, mund të përsëritet në këtë vend periodikisht. Ndërtimi mbi rrugë dhe mbi oborre shkollash mund të përsëritet për shkak të babëzisë etj”. Duke theksuar se kjo situatë nuk mund të tolerohet më tej, kryeministri bëri të ditur se qeveria do të autorizojë Inspektoratin për ndërhyrjet më të fuqishme, më energjike. “Lëkundet pallati me 9 kate mbi leje. E sheh Bashkia dhe në vend që të marrë masa për ta prishur dhe për të garantuar jetën, thotë është dhe një pallat tjetër diku tjetër. Unë nuk them se nuk është, por në mënyrë absolute nuk do të lejohen ndërtimet që kërcënojnë qytetarët. Këto ndërtime do të rrafshohen. Këtu nuk do të ketë më asnjë tolerim. Ndaj dhe ky ligj është bërë i domosdoshëm”. Kryeministri bëri të ditur se janë të shumtë qytetarët shqiptarë të cilët të inkurajuar nga kjo përpjekje e qeverisë kërkojnë me çdo kusht të veprohet, pasi është cenuar seriozisht siguria e tyre.
Kryeministri u shpreh se Inspektorati qendror do të ndërhyjë energjikisht, në të gjitha rastet kur shkelen kondicionet urbanistike, dhe kur kërcënohet siguria publike. “Ky ligj do të kalojë me përparësi në Parlament, në mënyrë që inspektorati qendror të ndërhyjë në të gjitha rastet kur shkelen kondicionet urbanistike dhe kërcënohet siguria publike”, - tha Berisha.
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik prej disa ditësh ka nisur një valë aksionesh pas deklaratave të kryeministrit. Rasti më i fundit ishte prishja e një objekti 12-katësh, e cila u ndërpre nga Ministria e Transporteve, pasi u konstatua se kishte shkelje procedurash. Pronari i objektit, Ilir Mata e ka çuar çështjen në gjykatë, ku kërkoi pezullim të prishjes së objektit dhe dëmshpërblim nga qeveria për dëmin e shkaktuar. Qeveria ka urdhëruar Inspektoratin për të prishur edhe disa objekte të tjera në Tiranë dhe rrethe. Këto janë shoqëruar me akuza të ashpra me drejtuesit vendorë socialistë.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›