E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria shtetëzon “Tajvanin”, pronarët: “Prona është e ligjshme”



Qeveria vendos shtetëzimin e një pjese të sipërfaqes ku ndodhet kompleksi “Tajvan” në zonën e parkut “Rinia”, por pronarët kanë reaguar duke paraqitur dokumente dhe vendime, sipas të cilave, prona është e ligjshme. Menjëherë pas aksionit për prishjen e ndërtesës në pronësi të kunatit të deputetit të PS-së, Dashamir Peza, mbrëmë kryeministri firmosi vendimin për heqjen e një sipërfaqeje prej 1350 metrash katrorë tokë kompanisë që ka objektin në qendër të Tiranës. Menjëherë pas lajmit për dhënien e këtij vendimi, reagoi edhe shoqëria “Taiwan” sh.p.k. Në deklaratën zyrtare thuhet se objekti është miratuar me votat e shumicës dërrmuese të anëtarëve të Këshillit Bashkiak, përfshirë edhe anëtarë të djathtë. Po ashtu, sipërfaqja prej 1350 metrash, e cila ndodhet në pjesën e jashtme të ndërtesës, i është nënshtruar procesit të legalizimit dhe pronarët pretendojnë se janë paguar të gjitha detyrimet financiare ndaj bashkisë dhe qeverisë.
Vendimi i qeverisë
Qeveria miratoi mbrëmë vendimin për kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të sipërfaqes së truallit të parkut “Rinia” në Tiranë. Duke folur për këtë vendim, kryeministri u shpreh se ai shfuqizon vendimin me të cilin është përvetësuar toka publike në zemër të Tiranës, jashtë çdo lloj kompetence të Këshillit Bashkiak. “1350 metra katrorë tokë janë përvetësuar me një çmim qesharak në një kohë kur toka nuk ka qenë private, në një kohë kur toka nuk ka qenë pronë e Bashkisë së Tiranës, por tokë publike, pronë e shtetit, për të cilin përgjegjëse direkte është qeveria qendrore. Në regjistrimin e pronave që është bërë në vitin 2006, Agjencia e Pronave përcakton se kjo është një tokë publike, jo në autoritetin e Bashkisë së Tiranës. Sidoqoftë, toka i kalon Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit”. Duke siguruar qytetarët se qeveria do të ndërhyjë me vendosmëri absolute për çdo metër katror tokë publike të marrë në mënyrë të paligjshme, kryeministri kërkoi nga ekspertët anulimin e vendimit të paligjshëm. “Unë i garantoj qytetarët se qeveria do të ndërhyjë me vendosmëri absolute për çdo metër katror tokë publike të marrë në mënyrë të paligjshme nga cilido qoftë, pavarësisht nga asnjë lloj përkatësie apo orientimi. Toka publike është tokë publike. Ka një ligj që përcakton. Kurse në rastin konkret është marrë kompetenca e qeverisjes qendrore, çka s’mund të ndodhë kurrë përveçse babëzia ka bërë atë që bënë”.
Reagimi i pronarit
Mbrëmë vonë reaguan edhe pronarët e objektit për të cilin qeveria lëshoi vendimin për sekuestrimin e një pjese të truallit. Më poshtë është shpjegimi i plotë: “Kompleksi ‘Taiwan’, që ngrihet në Parkun Rinia ne Tirane është ne pronësi private të shoqërisë shqiptare ‘Taiwan’ sh.p.k. Kompleksi ‘Tajvan’ është ngritur mbi sipërfaqen e kompleksit te dikurshëm, me të njëjtin emër. Në vitin 2001, nëpërmjet kontratës me nr. 1250, rep. dhe nr.332 kol., datë 09.04.2001 dhe notere Myrvete Përmetin, shoqëria ‘Taiwan’ sh.p.k. ka blerë objektin lulishte ‘Rinia’ dhe truallin funksional të tij, me sipërfaqe 1815 m2, të ndodhur në parkun ‘Rinia’, në Zonën Kadastrale Nr. 8380, me Numër Pasurie 7/189, të qytetit të Tiranës.
Pas blerjes se kompleksit ekzistues dhe truallit nën të, shoqëria ‘Taiwan’ sh.p.k. aplikoi në Bashkinë e Tiranës për leje ndërtimi me synim prishjen e kompleksit ekzistues dhe ngritjen mbi të një ndërtese të lartë mbi 20 kate për zyra dhe shërbime.
Pavarësisht kërkesës së shoqërisë ‘Taiwan’, pronare e truallit dhe godinës ekzistuese, Bashkia e Tiranës miratoi lejen e ndërtimit, sipas Vendimit të KRRT-së Nr. 48, datë 21.07.2001, vetëm për ndërtimin e një godine me lartësi prej 2 kate mbi tokë, dhe 2 kate nën tokë, me destinacion shërbimesh dhe tregtie, duke ruajtur destinacionin origjinar të objektit.
Gjatë kryerjes së punimeve të ndërtimit, doli nevoja e kryerjes së punimeve shtesë për disa nga sipërfaqet nën tokë dhe të disa sistemimeve mbi tokë.
Për këto punime shtesë jashtë lejes së ndërtimit, shoqëria ‘Taiwan’ aplikoi për legalizim, në përputhje me Ligjin Nr. 9209, datë 23.03.2004, ‘Për legalizimin e shtesave në ndërtime’.
Sipërfaqja prej 1310 m2 i është shitur nga Bashkia Tiranë subjektit privat, në kuadër të procesit legalizimi të shtesave të lartpërmendura të ndërtimit, të kryera nga shoqëria në procesin e rikonstruktimit të kompleksit ‘Tajvan’, në përputhje me dispozitat e Nenit 2, pika 11 e Ligjit Nr. 9209, datë 23.03.2004 ‘Për Legalizimin e Shtesave në Ndërtime’, i cili shprehet se: ‘...Për sipërfaqet tej lejes së miratuar, që kanë cenuar drejtpërdrejt ose tërthorazi pronësinë publike, të bëhet vlerësimi i sipërfaqes së truallit të cenuar, duke marrë për bazë mesataren e vlerës së shitblerjeve për zonën përkatëse që ka Zyra e Regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme (ZRPP) në tre muajt e fundit nga data që bëhet kërkesa. Në bazë të çmimit të caktuar për vlerësimin e sipërfaqes së truallit, këshilli i njësisë vendore vendos për kalimin në pronësi private të sipërfaqes së pronës në favor te kërkuesit të legalizimit të sipërfaqes tej lejes së ndërtimit’”.
Vlerësimi i pronës është kryer në bazë të procedurave ligjore të vlerësimit, duke marrë për bazë referencat e dala në periudhën e legalizimit nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në përputhje me parashikimin e ligjit të sipërcituar.
Sqarojmë se, edhe sot, pas 5 vitesh nga përfundimi i procesit të legalizimit, çmimi i referencës, i miratuar nga Këshilli i Ministrave për trojet e ndërtimit në zonën në fjalë është 51,800 lekë për metër katror.
Kalimi i pronës në favor të subjektit privat është kryer duke ndjekur të gjitha hapat proceduralë të parashikuara nga ligji për legalizimet dhe është miratuar në instancë të fundit, me vendim pothuajse unanim të të pranishmëve në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, ku kanë votuar pro përfaqësues të të gjitha forcave politike (Vendim i Këshillit Bashkiak Nr. 2, datë 17.02.2005)
Në përfundim të këtij procesi, Bashkia Tiranë ka lidhur kontratë të rregullt shitje, me Nr. 1319 rep., dhe Nr. 74 kol., datë 10.03.2005 te noter Boris M. Skendi, me subjektin privat për kalimin në pronësi të sipërfaqes së tokës prej 1310 m2 që shërben për sipërfaqe funksionale të objektit.
Përveç çmimit të blerjes, shoqëria “Taiwan” ka paguar edhe vlerën prej afro 550,000 dollarë për legalizimin si dhe ka sistemuar me fondet e veta të gjithë parkun Rinia dhe rikonstruksionin e trotuarit dhe rrugës publike përballë kompleksit duke përballuar një kosto prej mbi 1 milionë USD.
Në përfundim, sqarojmë se sipërfaqja e truallit prej 1310 m2, e legalizuar, është një sipërfaqe ndihmëse e kompleksit “Tajvan”, e cila, aktualisht është pjesë e lulishtes hyrëse dhe ambienteve ndihmese në kompleks. Ndërkohë, vetë kompleksi “Tajvan” dhe trualli nën të është pronë private, e blerë nga shoqëria “Taiwan” sh.p.k. nga pronarë privatë.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›