E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti Petro Koçi bashkohet me LSI-në, gati edhe Memushi



Shaban Sulçe

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka shpallur dje zyrtarisht krijimin e grupit më të ri parlamentar “E majta për integrim”. Pjesëmarrësi më i ri në këtë grup parlamentar është deputeti socialist, Petro Koçi, i shkëputur nga grupi i deputetëve të PS-së, pasi nuk ra dakord me votën e tyre “pro” të 21 prillit për të ndryshuar Kushtetutën. Përveç deputetëve të LSI-së dhe kryetarit të PDS-së Paskal Milos, pas bashkimit të Petro Koçit, pritet që me grupin parlamentar “E majta për integrim” të bashkohet edhe një tjetër deputet nga radhët e Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për deputetin Luan Memushi, i cili edhe ai gjatë kohëve të fundit ka kritikuar Partinë Socialiste për qëndrimin e saj për të ndryshuar Kushtetutën.
Zyrtarizimi i grupit parlamentar “E majta për integrim” u bë dje pas takimit që kryetari i LSI-së Ilir Meta dhe deputetë të tjerë të LSI-së patën me deputetin socialist Petro Koçi.
Meta
Pas takimit me Koçin, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se shpallja e grupit të ri parlamentar “E majta për Integrim” do të pasohet shumë shpejt me ndërtimin dhe konfigurimin e një koalicioni me të njëjtin emër, i cili do të jetë edhe koalicioni fitues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Kemi diskutuar sot me politikanin e njohur socialist, z.Petro Koçi, lidhur me bashkëpunimin e mëtejshëm midis nesh, i cili do të institucionalizohet me paraqitjen në sesionin e ri parlamentar që fillon, të grupit parlamentar ‘E majta për integrim’, por që do të vijojë, jam i bindur, me shumë sukses në të ardhmen edhe me ndërtimin dhe konfigurimin e një koalicioni fitues për vlerat e së majtës dhe gjithë progresistëve në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009”, - tha Meta, i cili vlerësoi bashkëpunimin e deputetit Koçi dhe kontributin e tij për çështje thelbësore që kanë të bëjnë me opozitën dhe vetë demokracinë në vend. “Ne kemi pasur një bashkëpunim tepër solid dhe fisnik, do të thosha, në mbrojtje të Kushtetutës, që ka qenë dhe mbetet kontributi më i madh i socialistëve dhe progresistëve në këto 17 vjet pluralizëm për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri”, - vijoi Meta.
Koalicioni
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se krijimi i koalicionit “E majta për integrim” do të ndërtohet mbi bazën e principeve dhe parimeve, ndryshe nga koalicionet e bishtave, siç e cilësoi ai koalicionin e Partisë Socialiste. “Më duhet të theksoj se ky nuk është një koalicion bishtash, ky është një koalicion principesh. Ajo çfarë na ka bashkuar, në radhë të parë me zotin Koçi, sikurse ju e dini shumë mirë, është kundërvënia ndaj puçit kushtetues në natën e 21 prillit, shkallmimi i atij kontributi të jashtëzakonshëm që kanë dhënë socialistët dhe progresistët, duke derdhur edhe gjak, për ta bërë Shqipërinë me Kushtetutë demokratike dhe europiane. Ka qenë pra, reagimi kundër shitjes që iu bë Kushtetutës dhe tani ne nuk do të lejojmë që të shiten dhe zgjedhjet për Sali Berishën”, - deklaroi kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
Koçi
Deputeti më i ri i grupit parlamentar “E majta për integrim”, Petro Koçi, tha se ky grup do të forcojë dhe do të marrë frenat e opozitës së vërtetë. “Ne ramë dakord me kryetarin e LSI-së dhe me deputetët e tjerë të kësaj partie për të bashkëvepruar në dimensionin parlamentar dhe më vonë në atë elektoral, për të forcuar opozitën e vërtetë në parlament dhe për të luftuar, në radhë të parë kundër privatizimit të Kushtetutës, të shtetit, që tashmë me bashkëpunimin Rama-Berisha e ka kthyer Shqipërinë nga dikur republika popullore e Enver Hoxhës në republikën private të Ramës dhe Berishës”, - tha Koçi. Ai deklaroi gjithashtu se qëllimi i bashkëpunimit me LSI-në është për të bllokuar aktin e shitjes së zgjedhjeve te Sali Berisha, si dhe për të siguruar fitoren e së majtës së vërtetë në vitin 2009. “Ne do të bashkëpunojnë që të bllokojmë aktin e shitjes së zgjedhjeve nga Rama te Sali Berisha. Pra, ne jemi këtu për t’u thënë të gjithë socialistëve dhe progresistëve se do të punojmë së bashku për të garantuar fitoren e zgjedhjeve të 2009-s”, - u shpreh deputeti Petro Koçi.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›