E Diel, 1 Nëntor 2026

Memia: “Brenda 10 ditëve do të dërgojmë në qeveri listën e pronarëve”

Drejtori i ALUIZNI-it deklaron se ka gati vendimin për kompensimin e 128 pronarëve. “Agjencia po punon në disa zona informale në Tiranë, Durrës dhe Vlorë”

Eljona Ballhysa
Agjencia e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale do të dërgojë brenda 10 ditëve të ardhshme listën me emrat e 128 pronarëve në qeveri. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia, ka bërë të ditur për gazetën “Albania” se Agjencia është duke punuar me detaje për të bërë të gjitha verifikimet dhe për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për të realizuar kompensimin e të paktën 128 pronarëve të parë, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale. Sipas Memisë, Agjencia kryesisht është duke punuar në disa zona informale në qytetin e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës. Pikërisht pronarët e këtyre qyteteve do të jenë të parët që do të përfitojnë kompensim. Drejtori i Agjencisë pohon se këto vendime, me të gjitha të dhënat e detajuara dhe me hartat që i përkasin vendndodhjes së pronave të tyre, do të paraqiten në qeveri brenda 10 ditëve të ardhshme.
Kompensimi
Vetëm pak kohë më parë Agjencia e Legalizimeve miratoi manualin për mënyrën e procedimit për kompensimin e pronarëve të ligjshëm, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje. Ky manual do të shërbejë si udhërrëfyes në procesin e kompensimit të pronarëve si dhe në procesin e regjistrimit fillestar të ndërtimeve që futen në proces legalizimi. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia, bëri të ditur se ky manual u është shpërndarë të gjitha drejtorive rajonale të ALUIZNI-t në rrethe me urdhrin për zbatim rigoroz dhe të menjëhershëm të tij. Memia gjithashtu bëri të ditur për gazetën se aktualisht ka përfunduar dokumentacioni i nevojshëm për kompensimin financiar të 128 pronarëve të ligjshëm, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale.
Procedura
Në bazë të manualit, procesi i kompensimit do të nisë nga drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t, të cilat do të autorizojnë një specialist për të realizuar tërheqjen e dokumentacionit të nevojshëm nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për secilën zonë informale në të gjithë vendin. Dokumentacioni që do të tërhiqet për çdo zonë kadastrale përbëhet nga harta e punës, nga librat e ngastrave, si dhe dokumentacioni në përmbajtje të dosjes për çdo pasuri të trajtuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Po kështu, drejtoritë e ALUIZNI-t do të merren dhe me përputhjen e hartës dixhitale të ZRPP-së me atë vektoriale që disponon ALUIZNI, si rezultat i fotografimit ajror të vendit. Më pas procesi është parashikuar me detaje se si do të procedohet për zonat e banuara urbane, për zonat e banuara rurale dhe për objektet e veçuara dhe shtesat në ndërtime. Për zonat urbane, specialistët e ALUIZNI-t do të marrin librat e ngastrave, të cilat do të shërbejnë për të bërë krahasimin e listës së subjekteve që kanë vetëdeklaruar ndërtimin pa leje me listën e pronarëve. Për çdo banor që ka vetëdeklaruar që është ose jo pronar i truallit mbi të cilin ka ndërtuar, specialistët do të evidentojnë numrin e pasurisë, numrin hipotekor të pronës, sipërfaqen e truallit, numrin e volumit, faqes dhe referencës në librin e ngastrave. Më pas, të dhënat e mbledhura do të përdoren për procesin e kompensimit, por dhe për plotësimin e kartelës së pasurisë së paluajtshme të legalizuar. Të gjitha këto të dhëna përmblidhen në një tabelë për çdo pronar që përfiton kompensim. Në bazë të kësaj tabele sektori i kompensimit pranë ALUIZNI-t harton listën e pronarëve që do të kompensohen. Po kështu, në bazë të dhënave të mësipërme hartohet një listë me emrat e vetëdeklaruesve që kanë titull pronësie për parcelën ndërtimore dhe një listë me emrat e vetëdeklaruesve që nuk kanë titull pronësie. Më pas sektori i kompensimit harton evidencat për pronat që do të kompensohen dhe sipërfaqet takuese për metër katror. Po ky sektor harton projektvendimin e Këshillit të Ministrave me listat e pronarëve me sipërfaqet përkatëse. Për zonat rurale specialistët e ALUIZNI-t do të tërheqin listën e ligjëruar të pronarëve që kanë përfituar tokë bujqësore në zbatim të Ligjit 7501 “Për tokën”. Dokumenti “Lista e ligjëruar” pasqyron ndarjen e tokës sipas pronarëve në parcela me numër pasurie dhe sipërfaqe përkatëse. Në bazë të këtyre dokumenteve sektori i kompensimit harton listat e pronarëve vetëdeklarues që kanë titull pronësie për sipërfaqen ndërtimore dhe listën me emrat e pronarëve që nuk kanë titull pronësie. Më pas sektori i regjistrimit fillestar plotëson kartelën e pasurisë së paluajtshme duke legalizuar objektin e ndërtuar pa leje. Ndërsa sektori i kompensimit harton listën e pronarëve që do të kompensohen me sipërfaqen e truallit. Po ky sektor i dërgon Këshillit të Ministrave për miratim listën e pronarëve me sipërfaqen takuese për kompensim. E njëjta procedurë do të ndiqet nga të gjitha drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t edhe për ndërtimet e veçuara si dhe për shtesat në ndërtime.

Dokumentacioni që shoqëron vendimin e Këshillit të Ministrave për kompensimin

Vërtetim pronësie nga dokumentet hipotekore të lëshuara nga ZVRPP-ja.
Plan-vendosje të pronës sipas ZVRPP-së.
Hartë treguese e pronës së azhornuar sipas hartës vektor me ndërtimin ose ndërtimet pa leje të ndërtuara mbi to, të kualifikuara për legalizim.
Në plan-vendosje të evidentohen qartë:
Kufijtë e pronës së pronarit të ligjshëm.
Kufijtë e parcelave ndërtimore të objekteve pa leje me sipërfaqen takuese të tyre për të cilat do të kompensohet pronari.
Sipërfaqet e lira që mbeten në pronësi të pronarit të ligjshëm.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›