Tarifat zyrtare për legalizimin e ndërtimeve informale
Ka hyrë në fuqi paketa financiare që parashikon mënyrën e pagesës për të legalizuar një objekt të ndërtuar pa leje. Është botuar në Fletoren Zyrtare paketa financiare e miratuar vetëm pak kohë më parë nga qeveria. Kjo paketë parashikon mënyrën se si do të procedohet që qytetarët të paguajnë për objektin pa leje. Në bazë të këtij dokumenti, i cili me hyrjen e tij në fuqi pritet të zbatohet së shpejti nga ALUIZNI, kjo agjencia është e detyruar t’i njoftojë qytetarët në momentin kur ata duhet të paguajnë për të legalizuar objektin e ndërtuar pa leje. Në paketë parashikohet se ALUIZNI afishon listën me emrat e pronarëve të objekteve informale që futen në proces legalizimi. Me afishimin e listës, pronarët e këtyre ndërtimeve pajisen dhe me formularin e pagesës së tarifës së shërbimeve. Brenda një muaji nga pajisja me formularin banorët që do të vazhdojnë procesin e legalizimit të objektit të tyre duhet të kryejnë pagesat që parashikohen në ligj në numrin e llogarisë bankare që do të hapet nga ALUIZNI për këtë qëllim. Në bazë të ligjit të legalizimeve, banorët që kanë objekte pa leje do të paguajnë për truallin e zënë. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi për një sipërfaqe deri në 100 m2 është 100 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 200 m2 çmimi është 150 mijë lekë, për sipërfaqe deri në 300 m2 çmimi është 200 mijë lekë, për sipërfaqe deri në 400 m2 çmimi është 300 mijë lekë dhe për sipërfaqe deri në 500 m2 pagesa është 400 mijë lekë. Ndërsa për parcelat ndërtimore që ndodhen brenda vijave të verdha, banorët do të paguajnë për sipërfaqe deri në 100 m2, 200 mijë lekë, për sipërfaqe deri në 200 m2, 300 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 300 m2, 400 mijë lekë dhe për sipërfaqe deri në 300 m2 banorët do të paguajnë sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Përveç pagesës për truallin e zënë nga ndërtimi informal, banorët do të paguajnë dhe tarifën e shërbimit për të gjithë dokumentacionin që përgatitet nga ALUIZNI. Tarifa e shërbimit do të kushtojë 4 mijë lekë dhe kjo vlerë është e pandryshueshme pavarësisht sipërfaqes së ndërtimit, numrit të kateve apo destinacionit të përdorimit të objektit informal. Banorët do të duhet të paguajnë dhe për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Kjo taksë llogaritet nga drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t në përputhje me të dhënat ndërtimore të objektit informal. Taksa e ndikimit në infrastrukturë llogaritet duke ia referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave në m2 të publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave në kohën e llogaritjes. Ndërsa për objektet me leje, por me shtesa informale, përqindja e taksës vendore të ndikimit në infrastrukturë do të aplikohet mbi vlerën e investimit të shtesës informale.
3 Shtator 2008