E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha të dëmshpërblejë fermerët pas skandalit të farërave”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka akuzuar kryeministrin Berisha se me paaftësinë e tij ka dëmtuar rëndë bujqësinë dhe fermerët në Shqipëri. Duke iu referuar edhe skandalit më të fundit të farërave, Rama kërkoi nga kryeministri Berisha që t’u kërkojë të falur publike fshatarëve të dëmtuar dhe të kompensojë dëmet e tyre financiare. Rama e cilësoi këtë skandal shumë të rëndë dhe të denjë për republikat e bananeve, ku sundon korrupsioni qeveritar dhe paaftësia qeverisëse. “Fundi i verës ka nxjerrë në sytë e të gjithëve një shembull katastrofik të atij dështimi të madh, 17-vjeçar, të politikës së vjetër me fshatin, e cila gjatë qeverisjes së Sali Berishës ka degraduar tërësisht. Sot, mijëra familje në fshat po përballen me dështimin e punës së tyre njëvjeçare dhe me vajtjen dëm të të gjitha sakrificave të tyre të jashtëzakonshme për të mbijetuar në kushtet e mungesës së plotë të shtetit. Ky është një skandal i denjë vetëm për republikat e bananeve, ku sundon korrupsioni qeveritar e paaftësia qeverisëse”, - tha Rama. Kryetari i Partisë Socialiste tha se Berisha, në vend që të justifikohet, duhet të kërkojë të falur publike dhe të marrë masa për kompensimin e familjeve të dëmtuara. “Dhe ndërkohë që mijëra familje janë viktima të mungesës së shtetit në pikat e kontrollit të farës së misrit, qeveria e Sali Berishës përpiqet të shfajësohet me justifikime që s'janë gjë tjetër veç një tallje e madhe me këdo që i dëgjon. Kryeministri s'duhet të heshtë për këtë pabesi shtetërore ndaj mijëra familjeve të fshatit, që sot meritojnë jo vetëm ndjesën publike të tij e të qeverisë së tij, po edhe dëmshpërblimin deri në qindarkën e fundit për humbjen kolosale që u ka shkaktuar papërgjegjshmëria shtetërore”, - tha Rama. Kryetari i PS-së denoncoi gjithashtu edhe demagogjinë e përdorur nga kryeministri Berisha për spotin e tij publicitar, ku paraqiten ato çka Berisha i ka quajtur suksese të qeverisë në luftën kundër korrupsionit. “Ndërsa vetë kryeministri paguan televizionet kombëtare me taksat e qytetarëve dhe të këtyre bujqve fatkeq për të transmetuar pafundësisht një reklamë banale të luftës së tij kundër korrupsionit, që në këta rast ka ngrënë edhe kokrrat e misrit të mijëra familjeve. Kjo katastrofë për ekonominë familjare të fshatit dhe kjo papërgjegjshmëri e skajshme e shtetit në raport me ngjarjen kanë vetëm një përgjegjës: Qeverinë e kryeministrit Sali Berisha dhe vetë kryeministrin!” - deklaroi Rama.

3 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›