Braçe: “Berisha, shkaktari i masakrës urbane në Farkë”
Partia Socialiste e ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka shkaktuar masakër mjedisore dhe urbanistike në zonën e Farkës.
Nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe, ishte sot pranë Liqenit Artificial në Farkë, ku pa nga afër masakrën urbane. “Pas sugjerimit të kryeministrit Sali Berisha për të marrë shembull nga mrekullia urbanistike e Farkës, si dhe pas dhjetëra telefonatash nga banorët e kësaj zone në zyrën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ftesës së tyre për të qenë këtu, jemi tamam këtu ku mbaron bashkia e Tiranës dhe infrastruktura e saj, nëntokësore dhe asfalti mbitokësor, për t’u sjellë dëshminë më të qartë se mrekullia urbanistike e Farkës është thjesht mrekullia e korrupsionit”, - tha Braçe. Ai e akuzoi kryeministrin Berisha se ka shkaktuar një masakër të vërtetë urbane dhe mjedisore. “Këtu ka ndodhur një masakër e vërtetë urbane, ndërtimet janë thellësisht pa kriter, kanë pushtuar sipërfaqe të gjelbra dhe i kanë shfarosur ato, ndërkohë që pallatet tetëkatëshe po i ngjiten kodrës gjithnjë duke ruajtur statusin sipas të cilit “ballkoni i njërit duhet doemos të hyjë në penxheren e pallatit tjetër” dhe anasjelltas. Këtu ka ndodhur një masakër e vërtetë mjedisore. Për shkak të këtyre ndërtimeve pa kriter, mjedisi është shkatërruar”, - u shpreh Braçe. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së tha se në qendër të kësaj masakre urbane qëndron grabitja e madhe me titujt e pronësisë, për të cilat së fundmi prokuroria ka nisur hetimet. Ai ftoi banorët të denoncojnë abuzimet.
3 Shtator 2008