E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fizioterapia kineze është katastrofë”

Nevil Dede është përshtatur mjaft mirë në skuadrën kineze të Changsha, por ka ende disa gjëra me të cilat nuk po ambientohet dot.

 Një ndër to është portieri i ekipit të tij, i cili megjithëse në mënyrë të pavullnetshme në ndeshjen e parë të kampionatit e dëmtoi në gju, ndërsa në takimet e mëvonshme është përplasur rrezikshëm me të. “Është hera e katërt që me daljet e tij më godet. I kam thënë duke qeshur: Ti sikur je portieri kundërshtar, jo kolegu im”, ka thënë Dede për albaniasoccer.com. Më tej ai pohon se fizioterapeutët e e skuadrës janë katastrofë. “Më vjen për të qeshur ndonjëherë me anën fizioterapeutike dhe nivelin e ulët profesional që ka në përgjithësi futbolli kinez. Gjithë këto investime të mëdha që bëjnë drejtuesit e skuadrave për të krijuar kushte sa më të mira stërvitore dhe për të rritur nivelin e futbollit, por kur vjen tek fizioterapia, ajo është katastrofë. Në Shqipëri e kishim më të mirë”, ka thënë Dede. Javën që kaloi ai ka vizituar edhe shtëpinë e ish-diktatorit kinez, Mao Ce Duni. Kjo sipas tij mund t’i sjellë fat skuadrës, që ende nuk ka mundur t’i gëzohet një fitoreje (4 barazime e 1 humbje). “Mosthirrja në Kombëtare? Nuk më ka mërzitur, por më ka habitur. Han, ndoshta ka menduar se unë nuk mund t’i përshtatem lojës dhe ideve të tij, ndonëse nuk kemi biseduar. Në të ardhmen ai mund të ndryshojë mendje”, ka thënë Dede.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›