Berisha fut Pollon “kontrabandë” në Kryesinë e PD-së
Eljona Ballhysa
Deputetët e Partisë Demokratike janë shprehur të pakënaqur nga përfshirja e Genc Pollos në organizimin e fushatës zgjedhore për strukturat e PD-së. Përcaktimi i tij si nënkryetar i grupit të punës që do të merret me zgjedhjet në PD-në e Gjirokastrës është parë me xhelozi nga deputetët demokratë. Kjo për shkak se ende strukturat e larta drejtuese të PD-së nuk kanë dhënë mendimin e tyre për një shkrirje të mundshme të Partisë Demokrate të re me Partinë Demokratike. Ndërkohë që detyra që i është ngarkuar kryetarit të PDR-së është e njëjtë me detyrën e anëtarëve të Kryesisë së PD-së. De fakto, ky rol që i është dhënë kreut të PDR-së nga Kryesia e PD-së e bën atë pjesë të kësaj strukture qendrore në Partinë Demokratike. Por jashtë Kryesisë janë shumë deputetë të PD-së, të cilët janë qëndrestarë dhe kanë kontribuar prej vitesh në këtë parti. Pikërisht ky angazhim i ri i kreut të PDR-së, ish-nënkryetarit të PD-së, Genc Pollo, është parë me dyshim dhe xhelozi nga deputetët e PD-së.
Postet
Deputetët e PD-së shpeshherë kanë ngritur zërin për mungesën e një sistemi rregullash që përcaktojnë karrierën brenda partisë. Ata kanë kundërshtuar marrjen e posteve drejtuese në parti, por dhe në qeveri, nëpërmjet emërimeve. Por duket se kjo praktikë vazhdon ende të ndiqet nga kryetari Berisha. Rasti më i fundit është pikërisht përfshirja Genc Pollos në fushatën zgjedhore të PD-së. Shumë deputetë të PD-së, megjithëse përkrahin rikthimin e të larguarve në parti, mendojnë se ata duhet t’i nënshtrohet konkurrencës brenda strukturave deri në marrjen e posteve të larta. Përfshirja e Genc Pollos në fushatën zgjedhore të PD-së shikohet si një përpjekje e tij për të marrë një post drejtues në kupolën qendrore të partisë. Burimet bëjnë të ditur se ekziston mundësia që të shtohet një post tjetër nënkryetari në PD, dhe ky post t’i jepet Pollos.
Listat
Por një tjetër dyshim i deputetëve të PD-së është dhe përcaktimi i emrave të të rikthyerve në radhët e para të listave për deputetë. Zakonisht personat që mbajnë poste drejtuese në parti kanë më shumë mundësi që të jenë të parët në listën e deputetëve, si dhe të kenë zonat më të mira elektorale që presupozohen si bastione të PD-së. Po kështu dhe anëtarët e Kryesisë janë të favorizuar në këtë këndvështrim. Detyra që Berisha i ka dhënë së fundi kryetarit të PDR-së e barazon atë me një anëtar kryesie. Por ky post i është dhënë Pollos pa u konsultuar me Grupin Parlamentar dhe pa u votuar nga Këshilli Kombëtar, duke shmangur në këtë mënyrë të gjitha strukturat vendimmarrëse të partisë. Nëpërmjet kësaj detyre duket se Pollo po siguron një vend të favorshëm në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së.
Kryesia
Vetëm pak ditë më parë Kryesia e PD-së përcaktoi grupet e punës që do të merren me organizimin e fushatës zgjedhore brenda partisë në të gjitha rrethet e vendit. Kështu, Kryesia ka miratuar në qarkun e Shkodrës kryetare Jozefina Topallin dhe nënkryetar deputetin Astrit Bushati. Në Kukës zgjedhjet do të ndiqen nga Jemin Gjana kryetar dhe nga Aleksandër Biberaj nënkryetar. Qarku i Dibrës do të jetë nën monitorimin e Ilir Banos dhe të Njazi Kosovrastit. Ndërkohë që në Lezhë është emëruar Fatos Beja dhe Edi Paloka, kurse në Durrës Gazmend Oketa dhe Gjergj Lezhja. Zgjedhjet e reja në Tiranë do të drejtohen nga kryetari Sali Berisha, me përfshirjen edhe të deputetëve të PD-së që janë votuar në kryeqytet. Qarku i Elbasanit i është besuar si kryetar Lulzim Bashës dhe si nënkryetar Halit Shamatës. Ndryshime ka pësuar edhe grupi i punës në qarkun e Beratit, në përbërjen e të cilit do të jenë dy anëtarët e Kryesisë, Edmond Spaho dhe Majlinda Bregu. Në Fier zgjedhjet do të jenë nën kujdesin e Sokol Olldashit dhe të Genc Rulit, kurse në Korçë procesi do të mbikëqyret nga Ridvan Bode dhe Marieta Zaçe. Vlora i është besuar Astrit Patozit dhe Leonard Demit, kurse dy rrethe, ai i Tiranës Gent Strazimirit dhe i Kavajës Flamur Nokës. Ndërsa në Gjirakastër është mandatuar Ilir Rusmali dhe Genc Pollo.
25 Tetor 2008