Toka për banim në zonat bregdetare, si caktohen 4 llojet e zonave të ndërtimit
Ervin Koçi
Ligji i ri “Për planifikimin e territorit” i ka të përcaktuara qartë dhe kategoritë e zonave të ndërtimeve për banim në qytet dhe fshatrat bregdetare. Kategoritë e tokave për banim përcaktohen në nenin 19 të këtij ligji. Ato janë të ndara në katër lloje të veçanta, sipas numrit të personave që do të banojnë në to. Sipas udhëzimit, kategoria e “llojit 1” të tokave për banim është e përcaktuar për ndërtimin e shtëpive të banimit për një familje të vetme, me një lartësi deri në 3 kate, me një dendësi me të vogël se një njësi për hektar, e klasifikuar si “dendësi e ulët”. Sipas ekspertëve, “kjo kategori përfshin nevojat vendore, shtëpitë e çlodhjes për popullsinë vendore dhe shtëpitë për pushime të natyrës festare, kategori këto që nuk mund të ndahen lehtësisht”. Gjithashtu kjo kategori lejon përdorimin e natyrës “hotel” dhe “mëngjes” apo “pushim shtëpie” dhe “ambiente private” me qira për pushime.
Llojet e tjera
Toka për banim e “llojit 2” është për ndërtimin e shtëpive të banimit për një familje të vetme me një lartësi deri në 3 kate, me një dendësi më të vogël se dhjetë njësi për hektarë, e klasifikuar si “dendësi mesatare”. Sipas ekspertëve, “kjo kategori përfshin nevojat vendore, shtëpitë e çlodhjes për popullsinë vendore dhe shtëpitë për pushime të natyrës festare”. Kjo kategori lejon edhe përdorimin e natyrës “hotel” dhe “mëngjes” apo “pushim shtëpie” dhe krijimin e ambiente private për dhënie me qira për pushime. Ndërsa, toka për banim e “llojit 3” është për apartamente banimi për familje të vetme dhe kondominiume (shumëfunksionale), deri në lartësinë 6 kate, me një dendësi më të ulët se 10 njësi për hektar, e klasifikuar si “dendësi e lartë”. Kondominiumi është një apartament, grup apartamentesh apo grup vilash, brenda një kompleksi të përbashkët, me ambiente të përbashkëta për kohën e lirë, sportet dhe për aktivitetet argëtuese. Sipas ekspertëve, toka për banim e “llojit 4” është për apartamente banimi për familje të vetme dhe kondominiume deri në lartësinë 12 kate, me një dendësi më të lartë se 20 njësi për hektarë, e klasifikuar si “dendësi e lartë urbane”.
Toka industriale
Në përkufizimin e “tokës industriale” përfshihet industria e vogël përpunuese, repartet e punës dhe magazinimit. Këto përdorime kombinohen në këtë klasifikim të përdorimit të tokës. Përdorime të tilla, theksojnë ekspertët, “duhen shoqëruar me një nga elementët si: burimi i lëndës së parë, tregu potencial, një qendër për tregtinë ose port, ose të jetë pjesë e zonave të shërbimeve të domosdoshme për zhvillim të ri të planifikuar, siç propozohet në planet vendore”. Toka për veprimtari tregtare ose për shitje me pakicë jashtë qendrave ekzistuese urbane përgjithësisht nuk lejohet, por mund të shoqërohet me zona të zhvillimit ekonomik specifik, duke përfshirë ato për turizëm. Sipas ekspertëve, ajo mund të jetë pjesë e zonave të shërbimeve të domosdoshme për zhvillim të ri të planifikuar, siç propozohet në planet vendore.
Strukturat e përkohshme
Këto struktura, sipas ekspertëve, janë për të mbështetur funksionimin e hoteleve, të pikave të pushimit dhe restoranteve në të gjitha plazhet ku lejohet një zhvillim i tillë. Strukturat e përkohshme janë subjekt i procesit të lejimit të veçantë me periudhë rinovimi në intervale 3-vjeçare. Kjo kategori përfshin restorantet dhe baret e plazhit në natyrë të hapur, kioskat e dhënies me qira të pajisjeve të sporteve ujore dhe të plazhit, të cilat normalisht vendosen pranë buzës së ujit. Konstrukte të tilla ndërtohen në platforma të ngritura për të minimizuar ndikimin në mjedisin e plazhit (prefabrikate) dhe nuk duhen ndërtuar në themele me bazament të përhershëm (betoni). Sipas udhëzimit, për strukturat e përkohshme kërkohet leja nga autoritetet vendore, për përdorim të përkohshëm.
25 Tetor 2008