E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti i Planifikimit të Territorit, ndërtuesit bëjnë propozime për përmirësim



Shoqata e Ndërtuesve ka ndjekur hap pas hapi hartimin e projektligjit “Për Planifikimin e Territorit” dhe ka paraqitur vërejtjet dhe propozimet e veta pranë organeve përkatëse. “Ne sapo kemi marrë në dorë draftin e fundit dhe po e shqyrtojmë me kujdes atë për të parë reflektimin e propozimeve tona. Nga praktika e deritanishme kemi parë që variantet përfundimtare ndryshojnë në elementë thelbësorë, duke ndryshuar gjithë konceptin e projekteve fillestare”, - ka deklaruar dje për median nëndrejtori i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Ilir Hebovija. Ai theksoi se, në vështrim të parë shoqata vëren se parimi i “pranimit të heshtur” i kërkuar me forcë nga ndërtuesit, ka gjetur pasqyrim në këtë projekt dhe mendohet se ky parim do të detyrojë administratën të respektojë afatet ligjore dhe të kthejnë përgjigje për praktikat brenda limiteve ligjore. “Ne nuk duam që parimi i pranimit të heshtur të jetë parimi bazë i ligjit, por ky parim të shërbejë si nxitje për vënien në lëvizje të administratës së pushtetit vendor”, - thotë Hebovija. Ai bën me dije se Shoqata e Ndërtuesve shumë shpejt do të paraqesë edhe propozimet e saj në lidhje me draftin që është tashmë në duart e grupeve të interesit.

Fshatrat tradicionale, sa duhet të jetë lartësia e ndërtesave

Ndërtimet në fshatrat tradicionale, sipas udhëzimit, përcaktohen si të përdorimit shtëpiak dhe variojnë në madhësi brenda një game të limituar. Ndërtimet e reja, ose zgjerimet, nuk duhet të jenë në mënyrë të dukshme më të mëdha se ato ekzistuese. Në praktikë kjo do të thotë që një ndërtesë e gjerë siç mund të jetë një hotel duhet të dizenjohet në një mënyrë që të këtë një pamje të jashtme të ngjashme me një grup ndërtesash të vogla, ndonëse ato mund të jenë të lidhura në brendësi. Gjithashtu hapësirat e brendshme të gjera mund të dizenjohen brenda këtyre kushteve, ndonjëherë duke qenë pjesërisht nën nivelin normal të tokës, por ato nuk duhet të kenë elemente të jashtme si dritare ose kolona shumë të gjera, të cilat të jenë të ndryshme e të papërputhshme me ndërtesat ngjitur. Sa i përket lartësisë së ndërtesave, udhëzimi përcakton se ky është një element i rëndësishëm në kontekstin e peizazhit urban në tërësi dhe vendosjes vizuale të fshatit. Por nuk mund të këtë rregulla absolute për këtë, pasi natyra e vendit dhe lartësia e ndërtimeve ekzistuese do të merren në konsideratë. Në përgjithësi, tre kate duhet të jetë lartësia maksimale e lejuar, ku lartësia e katit ndjek normën tradicionale për atë fshat, plus çdo rregullore ekzistuese ndërtimi, e cila mund ta modifikojë atë. Megjithatë, kjo lartësi e lejuar mund të jetë e mundur të tejkalohet në disa fshatra malorë, pa dëmtuar cilësinë pamore të tërësisë, me kusht që dizajni të përputhet rreptësisht me aspektet e tjera të këtyre udhëzimeve. Nga ana tjetër, në një zonë “buferike” në të cilën ka kryesisht ullishte të mbjella në një zonë relativisht të sheshtë që rrethojnë fshatra me ndërtesa një ose dykatëshe, do të ishte e papërshtatshme të ndërtohen ndërtesa të dukshme trekatëshe dhe veçanërisht e papërshtatshme të krijohet një precedent për ndërtesa të tilla. Parimi i zonave “buferike” si zonë e kontrolluar që vë në dukje dhe thekson gjithë peizazhin duke ofruar kontrast midis fshatit dhe rrethinave të tij, duhet të respektohet.

25 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›