Nënshkruhet marrëveshja për kthimin e pronave komuniteteve fetare
Qeveria angazhohet t’i përjashtojë komunitetet fetare nga taksat dhe të përshpejtojë punën për kthimin e pronave. Ky vendim është marrë dje gjatë nënshkrimit të marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe katër komuniteteve fetare që operojnë në Shqipëri. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni kryeministri Berisha e ka cilësuar të rëndësishme nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, ndërsa ka vlerësuar harmoninë fetare që ekziston në vendin tonë. Po kështu, kryeministri është shprehur se qeveria do të hartojë së shpejti ligjin për financimin e komuniteteve fetare, i cili parashikon përjashtimin e tyre nga taksat. Nga ana e tyre, drejtuesit e komuniteteve fetare në Shqipërisë, si kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos, kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Reshat Bardhi dhe Arqipeshkvi i Durrësit dhe Tiranës, Rrok Mirdita, falënderuan qeverinë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe për ndihmën e dhënë.
Marrëveshja
Marrëveshja e nënshkruar krijon lehtësira fiskale duke përjashtuar komunitetet fetare nga taksat dhe mundëson përshpejtimin e punës për rikthimin dhe kompensimin e pronave të tyre. Gjithashtu marrëveshja parashikon hartimin e një ligji specifik për financimin e bashkësive fetare nga shteti, duke u bazuar në përvojën europiane për mbështetjen e veprimtarive të bashkësive fetare. Kryeministri vlerësoi se kjo marrëveshje që firmoset mes qeverisë shqiptare dhe autoriteteve më të larta fetare në vend shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe besimeve fetare në Shqipëri. “Nuk ka pasur dhe nuk ka njollë më të zezë në tërë historinë tonë kombëtare se sa barbaria ateiste e imponuar”, - u shpreh kryeministri duke iu referuar ndalimit të besimit fetar gjatë regjimit diktatorial. Berisha vlerësoi personalitetet fetare, të cilat me shpejtësi rivendosën traditën dhe gjënë më të çmuar që ka kombi shqiptar, tolerancën, harmoninë dhe bashkëpunimin fetar. “Marrëveshja hap një kapitull të ri dhe këtu një meritë të madhe kanë këta burra të shquar, kanë bashkëpunëtorët e tyre, kanë dhe personalitete të mëdha shpirtërore që sot nuk janë dhe ne i nderojmë ato sot, si Haxhi Hafiz Sabri Koçi, imzot Fran Ilia e shumë të tjerë, të cilët iu përkushtuan rindërtimit të infrastrukturës shpirtërore të kombit me vetëmohim”, - është shprehur Berisha. Ai premtoi hartimin sa më parë të ligjit që i përjashton nga taksat këto komunitete fetare. “Ka një moment shumë pozitiv në këtë marrëveshje. Marrëveshja e detyron qeverinë të bëjë ligjin e financimit të besimeve fetare. Nuk përbën kjo cenim të sekularizmit, përkundrazi, i jep fund një përjashtimi të pamerituar, sepse po të jetë çështja në rrafshin fiskal, aksionarë në këtë vend janë të gjithë qytetarët, të gjithë ata që paguajnë taksa. Pra me këtë ligj i jepet fund një përjashtimi të pamerituar dhe unë zotohem dhe do të kërkoj nga kryetari i Komitetit të Kulteve, Hasanaj, të krijojë grupin për të hartuar ligjin në mënyrë që komunitetet fetare të kenë të gjitha mundësitë e ushtrimit normal të veprimtarisë së tyre”, është shprehur kreu i qeverisë. Ai gjithashtu premtoi se qeveria do të investojë në ndërtimin e institucioneve të kultit. Për këtë vit fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për restaurimin e institucioneve të kultit është 2 milionë lekë, ndërkohë që Berisha premtoi rritjen e tij vitin ardhshëm.
Pronat
Po kështu, marrëveshja e nënshkruar dje parashikon përshpejtimin e punës nga qeveria për kthimin dhe kompensimin e pronave komuniteteve fetare në Shqipëri. Kjo çështje shpeshherë ka qenë objekt përplasjes midis komuniteteve fetare dhe qeverisë. Komunitetet fetare njihen si pronarët më të mëdhenj të tokave në vend dhe ata shpeshherë kanë kërkuar rikthimin e pronave të tyre të sekuestruara gjatë regjimit komunist. Por edhe pas gati 18 vitesh demokraci komunitetet fetare ende nuk kanë mundur t’i marrin pronat e tyre. Pritet që nëpërmjet kësaj marrëveshje të përshpejtohet puna e institucioneve shtetërore në rikthimin e tokave komuniteteve fetare.
25 Tetor 2008