Ja sa do jetë numri i deputetëve në secilin prej 12 qarqeve
Dy ditë më parë, deputeti socialist, Kastriot Islami, ka shpjeguar formulën, e cila do të përcaktojë numrin e deputetëve për secilin nga 12 qarqet. Kështu, numri i deputetëve për një qark do të përcaktohet nga numri në total i votuesve, që do të pjesëtohet me koeficientin 20 000 (ky koeficient është llogaritur mbi bazën e pjesëtimit të 2.8 milionë votuesve në total me 140 vendet në Parlament). Sipas formulës së deklaruar nga sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, do të përpiqemi që të japim si më poshtë numrin e deputetëve që do të ketë secili prej 12 qarqeve zgjedhore. Kështu, në qarkun e Shkodrës do të konkurrohet për 11 vende në Parlament, në qarkun e Kukësit për 3 deputetë, në qarkun e Lezhës për 6 deputetë, në qarkun e Dibrës për 5 deputetë, në qarkun e Durrësit 13 deputetë, në qarkun e Tiranës 33 deputetë, në Qarkun e Elbasanit 14 deputetë, në qarkun e Fierit 16 deputetë, në qarkun e Beratit 7 deputetë, në qarkun e Korçës 12 deputetë, në qarkun e Gjirokastrës 5 deputetë, në qarkun e Vlorës 12 deputetë. Sipas formulës dhe rezultateve të mësipërme, numri i deputetëve në qarqe del 136, sipas pjesëtimit të plotë. Por çfarë do të ndodhë me katër vendet e tjera në Parlament. Për këtë Islami shpjegoi se zgjidhja do të jetë sipas presjeve dhjetore dhe katër vendet do t’u ndahen atyre qarqeve që kanë presjet më të larta. “Fillimisht ndahet pjesa e plotë për çdo qark dhe më pas ajo që mbetet shpërndahet duke pasur për bazë mbetjen dhjetore”, - shpjegon Islami. Sipas kësaj skeme, përfituesit e katër vendeve në Parlament do të jenë qarqet Lezhë, Dibër, Gjirokastër dhe Vlorë, të cilët kanë numrin më të lartë të presjeve dhjetore.
25 Tetor 2008