Pragu elektoral, pas formulës së re zbardhen përqindjet për çdo qark
Shaban Sulçe
Me formulën e re të propozuar nga Partia Socialiste për shpërndarjen e numrit të deputetëve në qarqe, pragjet elektorale pritet të kenë të njëjtin fat, si bursat botërore, duke shënuar një ulje të ndjeshme. Për tre koalicionet e mundshme (përkatësisht të udhëhequra nga PD, PS dhe LSI) në zgjedhjet e ardhshme, marrja e të paktën një deputeti në pjesën të madhe të 12 qarqeve ku do të konkurrohet, as që do të vihet në dyshim. Kjo pasi niveli i pragut elektoral, sidomos në qarqet e mëdha, do të jetë më i ulët se ç’ishte parashikuar, falë formulës së re që pritet që të sanksionohet në Kodin Zgjedhor. Kështu, në 7 qarqet kryesore, përkatësisht në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier dhe Vlorë, pragu elektoral do të jetë më i ulët se 9%. Ky nivel i ulët mund të rezultojë inkurajues edhe për krijimin e një koalicioni të katërt, që me shumë gjasa pritet të krijohet nga partitë e djathta, të cilat nuk janë aleate me Partinë Demokratike.
Tirana
Qarku i Tiranës do të shënojë rekordin përsa i përket nivelit të ulët të pragut elektoral në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë qark do të dalin 33% deputetë, ndërkohë që pragu elektoral do të jetë 3%, më i ulëti nga 12 qarqet e vendit ku do të konkurrohet mbi bazën e sistemit proporcional rajonal në zgjedhjet e vitit 2009. Kjo përqindje e ulët e pragut elektoral duket se do t’i shtyjë të gjithë kryetarët e partive të vogla, pjesëtare të tre koalicioneve konkurruese, që të betonizohen në Tiranë në zgjedhjet e ardhshme. Gjithashtu ky nivel i ulët i pragut elektoral për qarkun e Tiranës pritet të sjellë një luftë të ashpër bërrylash brenda zyrtarëve të lartë të PD-së, PS-së dhe LSI-së, të cilët gjithashtu do të kërkojnë të kandidojnë në Tiranë në zgjedhjet e ardhshme për të pasur një vend të sigurt në Parlament. Por Tirana do të shënojë edhe betejën midis tre liderëve të koalicioneve, Berisha, Rama dhe Meta, të cilët do të konkurrojnë në Tiranë dhe do të përqendrojnë energjitë e tyre në këtë qark për shkak të numrit të lartë të deputetëve që do të mandatohen nga ky qark, plot 33.
Qarqet e mëdha
Qarqe të mëdha, prag elektoral të ulët. Formula është mëse e qartë, dhe kjo duket se do t’i inkurajojë koalicionet për të konkurruar me ambicie për të fituar më shumë se 1 deputet edhe në qarqet që njiheshin si bastione kundërshtare. Kështu, pas Tiranës, qarku i Fierit shënon nivelin më të ulët të pragut elektoral, i cili është 6.25%. Më tej renditja vijon me Elbasanin 7.1%, Durrësin 7.6%, Vlorën 7.7%, Korçën 8.3 dhe Shkodrën 9%. Por krejt e kundërta do të ndodhë me qarqet e vogla të vendit, ku niveli i pragut elektoral do të kapërcejë deri në shifra të “llahtarshme”. Kështu, rekordin do ta zërë qarku i Kukësit, duke shënuar shifrën 33.3% të pragut elektoral. Për të siguruar të paktën një deputet në këtë qark, koalicionet konkurruese duhet të marrin 11 mijë vota, nga 33 mijë votues të mundshëm që do t’i drejtohen kutive të votimit. Përqindje të larta të pragut elektoral shënojnë edhe qarqet Dibër dhe Gjirokastër, me 16.6%, ndërsa qarku i Beratit dhe ai i Lezhës do të kenë nivelin 14.2% të pragut të tyre elektoral.
Llogaritja e pragut elektoral
Por si llogaritet kjo përqindje? Numri i votuesve të regjistruar në qarkun e Tiranës është 660 505. Mbi bazën e këtij numri, sipas formulës së prezantuar dje nga deputeti Kastriot Islami, qarku i Tiranës do të ketë 33 deputetë në Parlamentin e ardhshëm. Duke qenë se pjesëmarrja në votime tradicionalisht (jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë) ka qenë rreth 50%, atëherë pritet që numri i votave në këtë qark të jetë 330 252. Duke e pjesëtuar këtë numër me 33 (numrin e deputetëve), rezultati del 10 007, të cilat janë votat që duhen për të siguruar të paktën një deputet në këtë qark. Shumëzimi i këtij numri me 100 dhe më pas pjesëtimi i shumës me numrin e mundshëm të votuesve përcakton edhe shifrën e pragut elektoral. Pra 10007 x 100= 1 000 700/ 330 252= 3.%
Tabela
Qarku Votues Deputetë Votues Vota për Pragu
në listë Të mundshëm 1 deputet
1-Shkodër 218560 11 109280 9934 9%
2-Kukës 66375 3 33187 11062 33.3%
3-Lezhë 135890 7 67945 9706 14.2
4-Dibër 116431 6 58215 9702 16.6%
5-Durrës 265180 13 132590 10199 7.6%
6-Tiranë 660505 33 330252 10007 3%
7-Elbasan 282528 14 141264 10090 7.1%
8-Fier 327918 16 163959 10247 6.25%
9-Berat 150871 7 75435 10776 14.2%
10-Korçë 246700 12 123350 10279 8.3%
11-Gjirokastër 112728 6 56364 9394 16.6%
12-Vlorë 257258 13 128629 9894 7.7%
25 Tetor 2008