Ligji i ri, plan rregullues i detyruar edhe për zonat rurale
Pak ditë më parë Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit bëri prezantimin e projektligjit të planifikimit të territorit, ku morën pjesë edhe përfaqësues të kryesisë së Shoqatës së Qarqeve të Shqipërisë. Në këtë takim ministri Olldashi tha se, “ky projektligj i jep një forcë më të madhe planifikimit të detyruar, si një proces ku çdo hapësirë e territorit duhet të mbulohet me një plan zhvillimi apo me një strategji zhvillimi; ndan më qartë dhe delegon një numër më të madh kompetencash drejt autoriteteve të pushtetit vendor, si dhe ruan dhe konsolidon konceptin e pranimit të heshtjes, pra i heqjes së barrëve të tepërta, që shpeshherë përdoren si mekanizma abuzimi në kërkesat për dhënien e lejeve të ndërtimit”. Sipas ministrit, “projektligji, vendos detyrime ndaj administratës nëse nuk përgjigjet në kohën e caktuar ndaj këtij ligji, duke e konsideruar lejen të mirëqenë”. Projektligji jep gjithashtu mekanizmat e duhur të transparencës për zhvillimin, për hartimin e planeve, për miratimin e planeve, duke i bërë ato pjesë të diskutimit publik me të gjithë aktorët. Në këtë projektligj është bërë një përpjekje për ta lidhur më mirë draftin me buxhetimin, pra që planifikimi mbi territor të mos jetë vetëm një vendosje njollash apo gjurmësh, por të jetë një orientim edhe për investimet publike apo private që do të bëhen brenda territorit. “Planet urbane, duhet të shërbejnë jo vetëm për dhënie të lejeve të ndërtimit, por kryesisht të orientojnë investimet publike në infrastrukturë dhe shërbime”, - tha ministri Olldashi. Në këtë projektligj është vendosur një hierarki më e mirë e planifikimit. U është dhënë një ndarje më e qartë kompetencave të niveleve të ndryshme, duke u prirë drejt delegimit të sa më shumë kompetencave pranë njësive të qeverisjes vendore dhe qarqeve, pra e ndarë sipas niveleve të autoritetit në qendror, rajonal dhe lokal.
25 Tetor 2008