E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha garanci Francës për helikopterët



Garanci për modernizim të Flotës, bashkëpunim më të madh në sferat ekonomike, tregtare, politike si dhe përpjekjet maksimale për arritjen e standardeve evropiane. Këto kane qenë pikat, në të cilat u përqendrua takimi i djeshëm i kreut të Qeverisë Sali Berisha dhe Sekretares së Shtetit të Francës për Tregtinë e Jashtme, Anne-Marie Idrac. “Këto ditë Shqipëria do të ratifikojë në Parlament marrëveshjen me Eurocopter, do të modernizojë flotën e saj të helikopterëve me prodhimet e kësaj kompanie” u shpreh Berisha. Edhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti ka pritur dje Sekretaren Idrac në një takim gjatë mesditës. Dy zyrtarët e lartë të vendeve përkatëse kanë diskutuar për bashkëpunimin në të ardhmen, në të gjithë sektorët kyç të ekonomisë. Nga ana e saj, Idrac ka theksuar rëndësinë që i kushton Franca dinamikës evropiane të këtij vendi dhe ka shprehur mbështetjen e saj për rritjen e pranisë franceze në Shqipëri. Kreu i Ministrisë së Ekonomisë u shpreh se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Francën mbeten akoma në nivele të limituara referuar mundësive potenciale të bashkëpunimit ekonomik bilateral. Prifti ka informuar gjithashtu Idrac,, së cilat janë disa nga fushat më potenciale ku mund të investohet në Shqipëri duke i bërë kështu një ftesë të hapur biznesit francez për më shumë prezencë. Maratona e takimeve të Anne-Marie Idrac ka vazhduar me Ministrin e Jashtëm Ilir Meta dhe atë të Brendshëm Lulëzim Basha. Marrëdhëniet e mira mes dy shteteve dhe zgjerimi i bashkëpunimit kanë qenë refren i këtyre takimeve. n.m

Basha për pasaportat biometrike
Takimi Basha-Idrac është përqendruar dje edhe në çështjen e pasaportave biometrike. Sekretarja Idrac theksoi se cilësia e lartë e pasaportave biometrike shqiptare përbën tashmë një kusht të plotësuar për liberalizimin e vizave, kurse ministri Basha shprehu bindjen se me këtë hap Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat për heqjen e vizave dhe tashmë pritet vetëm verifikimi dhe vendimmarrja politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›