E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi, mblidhen krerët e Ushtrisë: Situata serioze



Ushtria turke ka paralajmëruar për krijimin e një situate serioze në vend, pas arrestimit të 40 oficerëve të lartë mbi akuzat për organizmin e një komploti për të rrëzuar Qeverinë. Të gjithë gjeneralët e lartë dhe admiralët u takuan dje në zyrat qendrore ushtarake, për të vlerësuar situatën dhe hetimin. Ndërkohë policia turke po merrte në pyetje të dyshuarit mbi komplotin, i cili duket se daton në vitin 2003. Masat e marra kanë gjasa të tensionojnë edhe më tej situatën mes partisë në pushtet, AK, e cila i ka rrënjët politike në islam, dhe kundërshtarëve të saj, ushtrinë tradicionale sekulariste dhe gjyqësorin. Vala e fundit arrestimeve ndodhi pikërisht ndërkohë që partia e kryeministrit Erdogan kishte mosmarrëveshje të mëdha me gjyqësorin, duke akuzuar njëra-tjetrën për interferencë në hetime. Ndërkohë kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan e ka ndjerë veten vetëm për një çast si ish-presidenti i ShBA-së, Xhorxh Bush. Gjatë vizitës së Erdoganit në Spanjë, një kurd ka hedhur një këpucë kundër kryeministrit turk ndërsa ai po hipte në makinë, sipas shtypit spanjoll. 27-vjeçari nuk kishte arritur ta qëllonte kryeministrin. Një tjetër kurd u ndalua pasi i kishte bërtitur Erdoganit në hotelin e Sivilias, "Vrasës" dhe "Kurdistani i lirë". Ishte pikërisht gjatë vizitës në Spanjë, kur Erdogan foli për arrestimet e bujshme dhe komplotin për grusht shteti. Mes arrestimeve të së hënës ishte ish-komandanti i forcave ajrore, Ibrahim Firtina, ish-shefi i flotës turke, Ozden Ornek, dhe gjenerali Engin Alan. Mes ushtarakëve është edhe Ozden Ornek, autor i disa ditarëve të diskutueshëm të zbuluar në vitin 2004, që flisnin për një grusht shteti në përgatitje nga katër figura të larta të ushtrisë. Sytë tani janë përqendruar te reagimi i forcave të armatosura. Shefi i madh i ushtrisë, gjenerali Ilker Basbug, ka anuluar në minutën e fundit udhëtimin e tij për në Egjipt. Kreu i Ushtrisë ka hedhur poshtë çdo përfshirje në këtë çështje duke këmbëngulur se grushtet e shtetit në Turqi i përkasin së kaluarës. Ushtria ka rrëzuar me forcë apo ka detyruar të dorëhiqen katër qeveri në Turqi që nga viti 1960. Hera e fundit ishte në vitin 1997.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›