E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH kërcënon: Pa drita 4 orë në ditë institucionet buxhetore



Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka filluar të verë në jetë projektin për mbledhjen e miliarda lekëve borxh, që i detyrohen debitorët buxhetorë dhe jo buxhetorë. Nëse ata nuk do të shlyejnë detyrimet brenda 72 orëve, atëherë çekët kanë kërcënuar me ndërprerje të energjisë nga katër orë çdo ditë për një afat të papërcaktuar. Fazë e parë e strategjisë duket se ka qenë paralajmërimi, dërguar dy ditë më parë të gjitha institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore, të cilat kanë borxh të akumuluar kundrejt kompanisë. Në një njoftim për shtyp, OSSH ka bërë me dije se nuk do të tolerojë më neglizhencën e debitorëve dhe për këtë arsye është e detyruar të ndërmarrë veprime të parashikuara në kontratën që përcakton të drejtat dhe detyrimet e secilës palë. “Në këtë kuadër, që nga data 24 shkurt 2010, të gjitha institucionet që nuk do të paguajnë borxhet ndaj kompanisë, do të kenë ndërprerje të energjisë elektrike çdo ditë nga katër orë në mëngjes”, thuhet në njoftim. Duke ju referuar statistikave në fund të 2009-ës, çekët kanë deklaruar se OSSH ka një borxh të akumuluar rreth 28 miliardë lekë, prej të cilave 3.2 miliardë lekë janë borxhe të subjekteve jobuxhetore dhe 1.3 miliardë lekë të atyre buxhetore. Pak ditë më parë CEZ Grup deklaroi se duke vlerësuar gjendjen e vështirë financiare në të cilën ndodhet kompania do të zhvillojë një plan strategji për mbledhjen e borxhit, i cili do të lehtësojë sadopak situatën. OSSH bën me dije se mbledhja e borxhit do të fillojë me debitorët e mëdhenj por edhe të gjitha kategoritë e tjera. Në njoftim çekët përcaktojnë se debitorët do të njoftohen të paktën 72 orë përpara dhe nëse pagesa nuk bëhet, OSSH do të jetë e detyruar të ndërpresë furnizimin me energji elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›