Berisha garanton SHBA-të: Zgjedhjet, të lira
Kryeministri Sali Berisha priti dje në zyrën e tij ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Xhon Uidhers. Qëllimi i takimit ishin detajet për samitin e NATO-s në Strasburg, në datat 3-4 prill 2009, ku Shqipëria pritet të bëhet anëtare e plotë e Aleancës të Atlantikut të Veriut, por në këtë takim, Berisha dha garancitë e tij për qeverinë e SHBA-ve se zgjedhjet do të jenë tërësisht të lira dhe të ndershme. Kryeministri e siguroi ambasadorin amerikan se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe po bën çdo përpjekje për të garantuar suksesin e tyre, si zgjedhjet më të mira të realizuara ndonjëherë në Shqipëri, të lira e transparente, sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. Kryeministri Berisha i shprehu ambasadorit Uidhers mirënjohjen më të thellë për përkrahjen dhe ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në veçanti Presidenti Bush dhe tashmë Presidenti Obama dhe administrata e tij, i dhanë Shqipërisë për realizimin e këtij projekti madhor kombëtar për të gjithë shqiptarët.