E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çdo i huaj në Shqipëri, pa vizë



Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë Kryeministri Sali Berisha kërkoi vendosjen e disa standardeve të reja për të lehtësuar hyrjen në Shqipëri të të gjithë shtetasve të huaj qe marrin viza “Shengen”. Sipas tij, të gjithë qytetarët që jetojnë jashtë vendeve “Shengen” të BE-së, por që disponojnë një vizë “Shengen”, nuk do të paguajnë për vizën që kërkojnë në Shqipëri. Nga ana tjetër, qytetarët e BE-ë, kur vizitojnë Shqipërinë, nuk pajisen me viza në Shqipëri. Sipas Kryeministrit, ky standard do ta bëjë Shqipërinë më të vizitueshme nga të huajt. “Qytetarët e çdo vendi që janë të pajisur me vizë “Shengen”, mund të vijnë edhe në Shqipëri me atë vizë. Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë, sepse nuk besoj të ketë vend që të mos ketë ambasadë apo konsullatë të vendeve apo të ndonjë vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Kjo mundësi nuk bën fjalë për vendet e “Shengenit”, sepse me ta ne nuk kemi viza, por për ato vende që marrin viza “Shengen”. Këtë standard e ka përdorur Zvicra dhe për mendimin tim është një standard i mençur”, - tha Berisha. Ai i kërkoi ministrit Basha të negociohet me Komisionin Evropian, në mënyrë që qytetarët që pajisen me viza për në çdo vend “Shengen”, t’i kenë të vlefshme edhe për Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›