E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE: “Kriza do të kthejë emigrantët në atdhe në 2009”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, pranon se efektet e ngadalësimit të rritjes ekonomike të vendeve fqinje do të jenë të pashmangshme për ekonominë e vendit tonë. Deklarata e Kryeministrit u bë në Tryezën e Tretë të Rrumbullakët të Biznesit me Qeverinë. Shqipëria nuk është e prekur nga kriza financiare globale, por do të vuajë pasojat, në rast të ngadalësimit të rritjes ekonomike të vendeve fqinje. Berisha deklaroi gjatë Tryezës së Tretë të Rrumbullakët të Biznesit me Qeverinë se "jo vetëm tek të ardhurat e emigrantëve, por edhe tek investimet ndihen efektet e rritjes ekonomike të vendeve fqinje. Por neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojmë punën tonë për krijimin e lehtësive për investitorët, pavarësisht asaj çfarë po ndodh në tregjet financiare ndërkombëtare. Sistemi bankar shqiptar funksionon normalisht”, - tha ai. Përfaqësuesi i ambasadës amerikane ka pyetur Kreun e Qeverisë, nëse një ndër burimet kryesore ekonomike të Shqipërisë është diaspora dhe nëse Qeveria ka ndonjë projekt për të sjellë këtë pjesë të emigrantëve, me qëllim që të sjellin eksperiencën e tyre në vendlindje? “Tre vjet më parë unë kam pasur disa projekte. Dhe arritëm në konkluzionin se kemi të bëjmë me një diskriminim. Dhe konkluzioni ishte që ne nuk duhet të bëjmë dallim midis shqiptarëve dhe joshqiptarëve, dhe kjo ishte arsyeja që vendosëm të vëmë barrën më të ulët të mundshme për të ofruar lehtësira fiskale për këdo. Në lidhje me shqiptarët jashtë atdheut, ne kemi një program tashmë, atë të “thithjes së trurit”, pra tërheqjen e elitës shqiptare që jeton jashtë shtetit. Në Jug emigracioni është i dukshëm. Kudo që të shkoni nëpër Shqipëri do të gjeni tokë të mbjellë dhe të punuar, ndërsa nëse do të vizitoni pjesën e Jugut, situata nuk është e njëjtë. Ka njerëz që janë të gatshëm të punojnë tokën, ne po punojmë që të gjejmë mënyrën se si ta trajtojmë këtë çështje, është një çështje e ndjeshme dhe për këtë duhet një konsensus. Mendoj që duhet të punojmë në këtë drejtim. Ata, të cilët janë të gatshëm që të punojnë në këto toka në bazë të një kontrate, duhet ta kenë këtë të drejtë”, - tha kryeministri Berisha. Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, i është drejtuar panelit ku ndodhej Kryeministri, duke e pyetur, nëse ka Qeveria një politikë të vetën për të krijuar një njësi të vogël kredidhënieje për personat që kthehen në atdhe dhe nëse ka Qeveria një projekt për këtë për mundësi të tilla të nxitura nga Qeveria dhe sektori bankar? “I kam kërkuar për këtë çështje Kryeministrit Italian, Berluskoni, që të shikonte mundësinë e dhënies së kredive për emigrantët, në mënyrë që ata të ktheheshin. Megjithëse më duhet të them se shumë prej tyre po kthehen dhe po investojnë dhe ata përbëjnë një burim shumë serioz investimi në vend. Por duke u kthyer uljet e nivelit të interesit, nëpërmjet ndërhyrjes së qeverisë, unë në fakt isha në favor të kësaj gjëje, por nuk e realizova dot një gjë të tillë. Sepse është shumë e vështirë që të mënjanohet tendenca e humbjes, pra ka një lloj informaliteti, dhe kjo çështje më bllokoi totalisht. Inkurajimin e marrjes së kredisë arrita ta kem, por zbutja e kredisë në një farë mënyre mund të kthehet në një instrument jo shumë të vetëdijshëm”, - nënvizoi Berisha. Ndërsa Riçard Eames, drejtori i Programit të Konferencës CEMEA, Economist Grup, ka kërkuar nga Qeveria të dijë se, mjaft nga vendet evropiane, ku jetojnë emigrantë shqiptarë, si në Itali dhe Greqi, do të preken seriozisht nga kjo krizë. Çfarë tendencash mendon qeveria shqiptare se do të ketë kjo krizë në këtë pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve, atë të emigrantëve? A do të ndikojë në kthimin e një pjese të konsiderueshme në Shqipëri? “Sigurisht që kjo krizë e vendeve fqinje do të ketë ndikim mbi ekonominë shqiptare. Jo vetëm nga pikëpamja e kontributeve të tyre financiare që derdhin në Shqipëri emigrantët, por edhe nga pikëpamja e investimeve, gjithësesi, ne do të vijojmë me reforma për të lehtësuar investimet e huaja, të nxisim edhe më tej ata për potencialet e Shqipërisë”, - është përgjigjur Kryeministri.

Qeveria për tokat e papunuara

“Ka njerëz që janë të gatshëm të punojnë tokën, ne po punojmë që të gjejmë mënyrën se si ta trajtojmë këtë çështje, është një çështje e ndjeshme dhe për këtë duhet një konsensus”.

Kriza ekonomike, ndikimi në Shqipëri

“Sigurisht që kjo krizë e vendeve fqinje do të ketë ndikim mbi ekonominë shqiptare. Jo vetëm nga pikëpamja e kontributeve të tyre financiare që derdhin në Shqipëri emigrantët, por edhe nga pikëpamja e investimeve”

Reforma Fiskale

“Sistemi fiskal që aplikuam këto tre vjet ka qenë një eksperiment. Dhe nëse do të dështonim do të ishte një gjë e pashpresë për vendin. Nëse ne do të vazhdojmë t i ulim, ne përsëri do të mënjanojmë përjashtimet”.

Ndryshimi i Ligjit për Minierat

“Sistemi i minierave është kaotik. Po punohet me Bankën Botërore dhe po marrim politikën e Toni Blerit dhe më pas që është marrë nga Gordon Braun për të gjetur praktikat më të mira”.

Ky lajm është publikuar: 29/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›