E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berisha gënjeu për MSA-në, dosjet dhe kartat e identitetit”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste ka kundërshtuar deklaratën e bërë dje nga kryeministri Sali Berisha. Përfaqësuesi i selisë rozë, Besnik Baraj, pohoi dje se Sali Berisha gënjeu kur tha se ligji i dosjeve është me standarde evropiane, sepse po dje Sekretari i Përgjithshëm i KE-së tha të kundërtën. “E dyta, gënjeu kur tha se prioriteti i tij është pasjisja me karta, sepse ditë për ditë po vërtetohet që qeveria s ka as plan, as kalendar, as shqetësim maksimal, për këtë çështje jetike për Shqipërinë e vitit 2009”, - tha ai. Por sipas Barajt, edhe deklarata se ratifikimi i MSA-së ishte meritë e Qeverisë, është një tjetër gënjeshtër. “MSA-ja u ratifikua falë të gjitha kontributeve në vite të të gjitha palëve dhe, nëse u vonua kaq shumë një ndër shkaktarët kryesorë është vetë Sali Berisha, simboli i një politike të vjetër, që prej 18 vjetësh i ka lënë shqiptarët, jo vetëm pa drita, pa ujë, pa punë, por së fundmi ua merr taksat për të reklamuar gënjeshtrat e qeverisë së tij”, - sqaroi ai.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›