E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi i KE: “Ja problemet kryesore të ligjit të dosjeve”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Këshilli i Evropës kritikon ligjin e dosjeve apo siç quhet ndryshe ligji i lustracionit, duke theksuar se nuk plotëson kriteret. Sekretari i Përgjithshëm i KE-së, Terri Devis, ka theksuar se analiza e bërë nga ekspertët e Këshillit të Evropës ka evidentuar disa probleme në lidhje me standardet e Këshillit të Evropës. Ndër këto probleme përfshihen shtrirja tepër e gjerë e ligjit, paanësia dhe proporcionaliteti i procedimeve të lustracionit dhe rreptësia e sanksioneve të parashikuara. Gjithashtu në deklaratën e tij, sekretari Devis i qëndron konstant qëndrimit të shprehur dhe pak kohë më parë, se Këshilli i Evropës është i gatshëm t u ofrojë autoriteteve shqiptare këshillim dhe asistencë në gjetjen e mënyrave për të arritur objektivin legjitim të trajtimit të së kaluarës në përputhje të plotë me standardet e KE-së.
Reagimi
Ligji nuk është në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës për demokracinë. Kështu ka pohuar Sekretari i Përgjithshëm i KE, Davis, lidhur me ligjin “Për pastrimin e figurës së funksionarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”, tri ditë pas hyrjes në fuqi të tij edhe pse nuk mori firmën e presidentit Topi. Devis ka theksuar me detaje të gjitha problemet e konstatuara nga ekspertët e Këshillit të Evropës.
Pikat e kundërshtuara
Sipas tij, problemi i parë i këtij ligji është shtrirja tepër e gjerë e ligjit, për sa u përket kategorive të zyrtarëve, që mund të preken dhe fakti që ligji përfshin persona që aktualisht janë në detyrë. “Së dyti, paanësinë dhe proporcionalitetin e procedimeve të lustracionit, dhe së fundi rreptësinë e sanksioneve të parashikuara dhe fakti që nuk ka një limit”, - është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i KE-së. Por ai ka theksuar se janë vënë re dhe disa mospërputhje të rëndësishme në lidhje me rezolutën mbi masat për heqjen e trashëgimnisë së ish-sistemeve komuniste totalitare, të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në vitin 1996. “Asambleja jonë ka bërë të qartë që çdo masë individuale lustracioni nuk duhet të tejkalojë vitet, që procesi i lustracionit duhet të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 1999 dhe që lustracioni nuk duhet të aplikohet mbi kandidatët në zgjedhje. Asnjë prej këtyre udhëzimeve nuk është marrë në konsideratë nga ligji shqiptar i lustracionit”, - vijon Devis në deklaratën e tij. Sekretari i Përgjithshëm i KE-së nuk e mohon faktin dhe vlerëson se për disa dekada, populli shqiptar vuajti nën një prej regjimeve komuniste më të ashpra dhe më mizore në Evropë. Por siç shton ai, “unë e kuptoj përpjekjen për të vendosur të vërtetën dhe për të dënuar ata që dhunuan të drejtat e njeriut gjatë kësaj periudhe. Por çdo përpjekje e tillë duhet të jetë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës për demokraci, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”. Në këtë kuadër Këshilli i Evropës shprehet i gatshëm t u ofrojë autoriteteve shqiptare këshillim dhe asistencë në gjetjen e mënyrave për të arritur objektivin legjitim të trajtimit të së kaluarës në përputhje të plotë me standardet e Këshillit të Evropës. Ligji i dosjeve u miratua më 22 dhjetor të vitit 2008 vetëm më votat e mazhorancës, ndërsa hyri në fuqi vetëm dy ditë më parë. Presidenti Bamir Topi preferoi të mos jepte asnjë mendim për ligjin, duke e kaluar në heshtje, njëra prej tri mundësive që i lejon Kushtetuta e vendit. Opozita nuk votoi për ligjin në fjalë dhe është shprehur se do ta çojë çështjen në Kushtetuese. Sipas partisë më të madhe opozitare, ligji i dosjeve është tepër i ashpër dhe ka karakter ndëshkimor vetëm për disa kategori prokurorësh e gjykatësisht që kanë në dorë çështje të mëdha. Ky mendim i socialistëve është mbështetur dhe nga pjesa tjetër e opozitës dhe nga një sërë strukturash ndërkombëtare si OSBE, DASH dhe ambasada amerikane.

Problemet sipas KE

Shtrirja tepër e gjerë e ligjit, për sa u përket kategorive të zyrtarëve, që mund të preken dhe fakti që ligji përfshin persona që aktualisht janë në detyrë

Paanësia dhe proporcionaliteti i procedimeve të lustracionit;

Rreptësia e sanksioneve të parashikuara dhe fakti që nuk ka një limit kohor”

Ligji i dosjeve hyri në fuqi dy ditë më parë. Ligji u miratua në Kuvend më 22 dhjetor të vitit 2008, vetëm me votat e mazhorancës.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›