Rama dhe Haradinaj: Do lobojmë për Kosovën
Kryetari i PS-së, Edi Rama, priti në një takim të veçantë kryetarin e AAK, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës disaditore që ai po zhvillon në Tiranë. Gjatë takimit u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me proceset integruese të Shqipërisë dhe të Kosovës. Kreu socialist u interesua rreth ecurisë së proceseve demokratizuese në Kosovë, duke e vënë theksin te zhvillimi ekonomik e social, thithja e investimeve, duke sugjeruar një angazhim më të madh për të përfituar nga momenti pas shpalljes së Pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Rama shprehu angazhimin e PSSH dhe të tijin personalisht për të vazhduar lobimin për njohjen e shtetit të ri të Kosovës. Kreu i AAK-së, Haradinaj, falënderoi kryetarin socialist për kontributin që PSSH ka dhënë në proceset që çuan drejt pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, ai shpalosi disa nga angazhimet e forcës politike, si një opozitë konstruktive në Kosovë për të inkurajuar qeverinë aktuale për të përmbushur objektivat që ajo ka në fazën e ngritjes së shtetit të ri demokratik. Në këtë takim merrnin pjesë anëtarë të delegacionit që shoqëronin Haradinajn dhe sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PSSH, Arta Dade. Pas takimit kryetari socialist Rama u shpreh: "Pritëm me kënaqësi mikun tonë Ramush Haradinaj në selinë e opozitës dhe patëm një bisedë miqësore lidhur me sfidat e reja ekonomike dhe sociale, që janë njëkohësisht sfida të mirëqenies për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e rajon dhe njëkohësisht patëm mundësinë të ndajmë ato emocione që për shkak të distancës nuk mundëm t'i ndajmë deri në momentin e shpalljes së pavarësisë”.