Berisha hap fushatën me "Modern Talking"
Nën ritmet e këngës "Win the Race" ("Të fitosh garën"), të grupit "Modern Talking", Partia Demokratike ka hapur dje zyrtarisht fushatën elektorale. Në Kuvendin e PD-së, kryetari i kësaj force politike, Sali Berisha, njëherësh dhe Kryeministër i vendit, ka shpalosur para shqiptarëve programin elektoral për katër vitet e ardhshme. Në fillim, Kryeministri u ndal te sukseset e qeverisjes së tij katërvjeçare ku renditi si më kryesore dy hapat e mëdhenj; anëtarësimin me të drejta të plota në NATO dhe aplikimin si vend kandidat për në BE. Për ta çuar këtë rrugë deri në fund, Berisha premtoi se vitet 2009-2013 do të jenë vitet e ndryshimit të madh, pasi puna e qeverisë së tij do të bazohet në dy shtyllat e para. Sipas tij, çështja e parë është lëvizja e lirë e shqiptarëve në mbarë Evropën brenda vitit të parë të mandatit të dytë. "Çështja e dytë është objektivi që Shqipëria të jetë gati në 2013 për të marrë verdiktin e 27 vendeve për të qenë anëtare e BE-së", u shpreh Berisha. Më pas, Kryeministri u ndal te sukseset e tjera që qeveria e tij ka arritur gjatë këtyre katër viteve, siç ishte lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, shtimi i vendeve të punës, ulja e taksave, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, përmirësimi i infrastrukturës, përmirësimi i sistemit të shëndetësisë etj. Kryeministri u ndal në mënyrë të detajuar në secilën prej tyre, duke premtuar se në katër vitet e ardhshme jeta në Shqipëri do të përmirësohet edhe më shumë. Berisha premtoi se në katër vitet e ardhshme do të ketë një trajtim të veçantë për komunitetin rom dhe egjiptian. "Do të punojmë më shumë për thellimin e tolerancës fetare, për të cilën Shqipëria ka merita të mëdha", u shpreh Berisha. "Qeveria me duar të pastra" dhe lufta ndaj korrupsionit do të jenë dy objektiva të tjerë ku qeveria "Berisha" angazhohet të thellojë reformat në katër vitet e ardhshme. Berisha premtoi qeveri edhe më të vogël në mandatin e dytë qeverisës, duke shkurtuar shpenzimet dhe favoret e tepërta. Kreu i së djathtës paralajmëroi se ligji i parë që do të votohet në Parlamentin e ardhshëm do të jetë ai për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë qeverisës. Berisha premtoi se do nxjerrë jashtë fenomenit të korrupsionit, pronat, hipotekat dhe shëndetësinë. Demokratët u angazhuan për reformë të thellë në pensione dhe sigurimet shëndetësore, reforma të thella në agjencinë e investimeve të huaja, diplomacinë shqiptare etj. "Shkollimi evropian i fëmijëve do të jetë përparësia e të gjitha përparësive. Do të ketë rritje të rrogave, duke kapur rrogat e gjashtë vendeve anëtare të BE-së. Shkollimi do të jetë i detyruar për të gjithë ata që mbarojnë sistemin 9-vjeçar, duke u krijuar kushte më të mira si dhe përfaqësim në universitete të më shumë të rinjve", premtoi Berisha.