E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, skemë manipulimi për zgjedhjet

Nëse qeveria shqiptare nuk e zgjidh çështjen e pajisjes me kartë identiteti të shtetasve pa pasaportë, Partia Socialiste nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve farse, por nuk do të pranojë as shtyrjen e tyre. Sekretari për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, shprehu vendosmërinë e partisë më të madhe të opozitës për të mbrojtur procesin zgjedhor, sidomos atë që ka të bëjë me pajisjen e shtetasve pa pasaportë me kartë identiteti. Publikisht, Islami zbardhi pesë kërkesa, të gjitha në adresë të Ministrisë së Brendshme, për të treguar transparencë në këtë proces. PS mori shkas për të hedhur dyshime lidhur me procesin e kartave të identitetit pas transmetimit në emisionin "Fiks Fare" të disa filmimeve që japin prova të qarta se si militantë të PD-së shpërndajnë kuponë te militantët e tjerë, të cilët, për më tepër, kanë certifikata false.

"PSSH nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve pa gjetur një zgjidhje për këta votues, duke përjashtuar njëkohësisht shtyrjen e zgjedhjeve. Këtë zgjidhje duhet ta japë qeveria sot, përsëris sot, sepse pasi dështoi në pajisjen me letërnjoftimin nuk mund të përdorë si alibi nenin në Kodin Zgjedhor, se nuk ka asnjë mënyrë tjetër identifikimi përveç se me pasaportë apo letërnjoftim", u shpreh Islami. Zyrtari i lartë i selisë rozë renditi me radhë pesë kërkesat në adresë të Ministrisë së Brendshme. Islami kërkoi që ministria të vërë në dispozicion të komisionit "ad hoc" dhe të OSBE/ODIHR-it listën e votuesve pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar. Së dyti, duke ndjekur arsyetimin e kërkesës së parë, Islami kërkoi që ministria të bëjë publike listën e të gjithë votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar dhe/ose listën e azhurnuar të votuesve pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar. Kjo, për të vlerësuar me saktësi se çfarë kategorish përfaqësojnë ata që do të mbeten pa aplikuar. "Kërkesa e tretë e PS lidhet me gjetjen e zgjidhjes për të gjithë ata që do të mbeten pa mjet identifikimi më 12 qershor 2009 ose qeveria të pranojë publikisht dështimin për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme", u shpreh ai. Islami e konsideroi si mjaft shqetësues faktin që Ministria e Brendshme nuk është në gjendje të tregojë sesa votues pa pasaportë kanë marrë në dorë letërnjoftimin. Në gjykim të këtij fakti, Islami paraqiti kërkesën e katërt për të bërë publike shifrën dhe listën e votuesve pa pasaportë që kanë marrë në dorë letërnjoftimin.

Islami kujtoi se kërkesa e PS për të marrë listën e saktë të kësaj kategorie lidhet vetëm me emrat e tyre dhe jo me të dhënat e tyre personale. "Nëse kjo kërkesë nuk plotësohet, u shpreh Islami, duke renditur kërkesën e pestë, atëherë na lind e drejta të deklarojmë se shifra e 730 mijë votuesve pa pasaportë sipas MB është e pasaktë ose qëllimisht e zvogëluar. A. Thomollari

Kërkesat e PS

1. Publikimi i listës së votuesve pa pasaportë, që ende nuk kanë aplikuar

2. Lista e të gjithë votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar dhe/ose listën e azhurnuar të votuesve pa pasaportë që ende nuk ka aplikuar

3. Gjetja e një zgjidhjeje për ata që do të mbeten pa mjet identifikimi më 12 qershor 2009

4. Shifra dhe lista e votuesve pa pasaportë që kanë marrë në dorë letërnjoftimin

5. Të vihet në dispozicion të Komisionit Kuvendor "ad hoc" lista e votuesve që kanë pasaportë

Zbulimi

PS merr shkas për të hedhur dyshime për procesin e kartave të identitetit pas filmimeve në emisionin "Fiks Fare"

Reagimi

Ministria e Brendshme e përgënjeshtron PS

Ministria e Brendshme reagoi dje pas deklaratës së PS-së se po dështon procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit. Nëpërmjet zëdhënësit Fatmir Konja, Ministria e Brendshme i vlerësoi si të pavërteta deklaratat e PS-së, duke theksuar se procesi për shpërndarjen e kartave të identiteti po shkon shumë mirë dhe do të përfundojë sipas të gjitha parashikimeve. Sipas ministrisë, deri më datën 22 maj, kanë aplikuar 1 milionë e 50 mijë shtetas, prej të cilëve 420000 nga grupi i atyre pa pasaportë dhe janë prodhuar 890000 letërnjoftime, 520000 prej të cilëve janë tërhequr tashmë prej qytetarëve. Ministria e Brendshme vazhdon t‘i bëjë thirrje qytetarëve të paraqiten për të tërhequr letërnjoftimet e prodhuara. Zëdhënësi theksoi se "Ministria e Brendshme i përgënjeshtron deklaratat e pavërteta të Partisë Socialiste për mungesë informacioni për listat e qytetarëve pa pasaportë, pasi ky informacion i është dërguar në mënyrë periodike përfaqësuesve të Partisë Socialiste që nga fillimi i procesit". Sipas tij, lista emërore e rifreskuar e personave pa pasaportë i është dërguar PS-së në datën 5 maj 2009, ndërsa informacioni i fundit për procesin i është dërguar në datën 20 maj 2009. Ministria e Brendshme konfirmon edhe një herë se askush nuk do të mbetet pa u pajisur me letërnjoftimin elektronik. Sipas saj, çdo qytetar shqiptar që do të paraqitet për t‘u pajisur me letërnjoftimin elektronik, i ka të gjitha kushtet e garantuara për ta marrë këtë dokument brenda dhjetë ditësh nga data e aplikimit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›