E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Pakënaqësia për listat e dëmton PD-në

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka krijuar pakënaqësi në radhët e partisë pas publikimit të 140 kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Lista me emrat që do t‘i prijnë kësaj beteje elektorale nuk është pritur mirë, pasi jashtë saj kanë mbetur disa emra të cilët kanë vite që kontribuojnë në PD. Ata janë zëvendësuar me emra të cilët janë bërë pjesë e partisë vetëm muajt e fundit. Një tjetër rast është ai kur figura të njohura të PD-së, deputetë aktualë janë të renditur nga fundi i qarqeve, duke e pasur të sigurt humbjen. Kjo gjë duket se nuk është toleruar nga figurat e "djegura" prej vendimit të Kryesisë së partisë. Në disa raste, baza e Partisë Demokratike ka përcjellë pakënaqësi të shumta drejt qendrës, duke kërcënuar me bojkot të zgjedhjeve. Këto lëvizje dhe zhvillime të fundit në kampin e djathtë janë komentuar dje nga presidenti i nderit të Partisë Republikane, Sabri Godo. Ai theksoi se këto zëra kundër të deklaruar deri tani nuk sjellin asgjë të mirë për Partinë Demokratike. Ai kritikoi Berishën për lënien jashtë listës të disa figurave kryesore, siç janë Besnik Mustafaj, Aleksandër Biberaj, Preç Zogaj etj. Nga kjo lëvizje e kryetarit të PD-së ka nxituar të përfitojë një tjetër parti e djathtë, ish-aleate e Berishës. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, u ka bërë thirrje të gjithë demokratëve të zhgënjyer nga Partia Demokratike që të mos votojnë për të majtën për inat të PD-së, por të zgjedhin një tjetër alternativë të djathtë. Kjo në vlerësimin e Ndokës është PDK-ja, sepse njerëzit e saj, me votat e qytetarëve, do të mund t‘i japin fund dypolaritetit në Kuvend. Berisha ka lënë jashtë listës figura të njohura të PD-së, një pjesë e të cilave janë larguar fare nga selia blu, duke lënë dhe politikën. Një rast i tillë është ai i Besnik Mustafajt, ndërsa disa të tjerë deputetë si Preç Zogaj i janë bashkuar grupimeve alternative politike, duke garuar në ato zona ku pretendojnë se e kanë fitoren të sigurt. Ditët e fundit, zërat kundër Berishës kanë ardhur edhe nga baza demokrate. Mbështetësit e PD-së nuk e kanë mirëpritur listën në disa qarqe, duke pretenduar se emrat që garojnë për deputetë nuk u sjellin asgjë të mirë. Simpatizantët demokratë në jo pak raste kanë theksuar se deputetët e mëparshëm kanë bërë shumë për ta dhe janë të lidhur me zonën. Më këtë sistem të ri zgjedhor, ku lufta bëhet edhe për një votë të vetme, partitë e mëdha duket se do të kenë probleme edhe me aleatët e tyre. Partia Demokratike pritet të ketë përplasje edhe me Partinë Republikane, sepse të dyja forcat politike do të kërkojnë votat e elektoratit të djathtë. Shenjat e para u dhanë në Delvinë, ku mbështetës të Partisë Demokratike goditën kryetarin e PR-së se kësaj zone, duke i thënë se nuk duhet të kërkonte votat nga e djathta. Në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005, Partia Republikane u rreshtua në vend të parë në votat proporcionale. Kjo për shkak të zbatimit të skemës së "Dushkut", në të cilën votat e simpatizantëve të PD-së kaluan tek sigla e republikanëve në këmbim të votës në mazhoritar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›