E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha hap mitingun e PD në ora 20.00, në Durrës, Xhaferri optimist për fitoren e PD

Partia Demokratike hap ditën e sotme në orën 20.00 fushatën e saj elektorale në qarkun e Durrësit. I pranishëm në këtë miting elektoral do të jetë dhe kryeministri Sali Berisha, i cili është njëkohësisht dhe kryetari i Partisë Demokratike. Gjithashtu, sot pritet të bëhet prezantimi një për një i kandidatëve të këtij qarku, të cilët do të kandidojnë nën siglën e PD në zgjedhjet parlamentare, si dhe prezantimi i programit politik të kësaj partie. Kandidati për deputet, Ferdinand Xhaferri i cili kryeson dhe listën e Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit njëkohësisht dhe drejtuesi i fushatës në këtë qark, në një prononcim të dhënë për gazetën Sot u shpreh mjaft i entuziazmuar për hapjen e fushatës së kësaj force politike nëqytetin e Durrësit.Xhaferri u shpreh i sigurt se Partia Demokratike do të fitonte shumicën e kandidatëve në qarkun e Durrësit, si dhe shumicën në parlament. Sot është dita e fitores, është hapja e fushatës së fitimtarëve, nënvizoi Xhaferri. Ndër të tjera ai shtoi se rregullimi i infrastrukturës së qytetit të Durrësit, hapja e vendeve të reja të punës si dhe hapja e Universitetit të Durrësit ishin premtimet e bëra para katër vjetësh nga Partia Demokratike e kryetari i saj Sali Berisha, dhe sipas tij të gjitha këto premtime u mbajtën gjatë këtij mandati të parë të qeverisjes së Demokratëve. Sot do të hapet fushata e Partisë Demokratike të qarkut të Durrësit, do të hapet fushata e partisë, e cila arriti ta transformojë këtë qytet brenda katër viteve. E bëri atë një nga qytetet më të bukur në Shqipëri. Qeveria demokratike gjatë këtij katërvjeçari arriti të bëjë Durrësin një qytet ndryshe, një qytet më të pastër, një qytet me një infrastrukturë rrugore moderne, qeveria Berisha hapi një Universitet në Durrës, hapi vende të reja pune, uli numrin e papunësisë në këtë qytet. Në katër vitet e ardhshme do të jetë qyteti i Partisë Demokratike pasi çdo gjë që populli i Durrësit shikon sot është meritë e qeverisë dhe e kryeministrit Berisha, u shpreh ai. Duke përmendur punën e bërë nga qeveria Berisha gjatë këtyre katër viteve për qytetin e Durrësit, Xhaferri u ndal tek shtimi i numrit të turistëve në këtë qytet bregdetar. përmendi shtimin e numrit të turistëve, që me punën e bërë nga kjo qeveri deri tani për qytetin e Durrësit. Kandidati për deputet në Durrës, Ferdinand Xhaferri u shpreh i sigurt për përsëritjen e suksesit nga ana e Partisë Demokratike në këto zgjedhje, sepse sipas tij të gjithë qytetarët e Durrësit kanë para syve të tyre një mrekulli që dikur as nuk e kishin menduar, mrekullia që do të jetë një urë lidhëse ndërmjet Shqipërisë me Kosovën dhe më gjithë vendet e tjera të rajonit, një mrekulli siç është ndërtimi i një vepre madhështore si rruga Durrës-Kukës. Sipas tij qeveria Berisha ishte qeveria e premtimeve të mbajtura pasi ajo jo vetëm ndërtoi infrastrukturën rrugore të qytetit të Durrësit, por krijoi dhe shumë vende të reja pune gjatë këtij mandati të parë qeverisës. Qeveria Berisha dyfishoi pensionet dhe rrogat në vend duke e bërë dhe më të qetë jetën e durrsakëve. Gjatë katër viteve, të ardhshme biznesit do i jepet një ndihmë akoma dhe më e madhe, do të ulen akoma dhe më shumë taksat. Në mandatin e parë, kryeministri Sali Berisha njëkohësisht dhe kryetari i Partisë Demokratike iu premtoi qytetarëve durrsakë dhe gjithë shqiptarëve, se do ta fuste Shqipërinë në NATO dhe e realizoi këtë, ndërsa në katër vitet në vijim ne do ju premtojmë qytetarëve të Durrësit dhe gjithë shqiptarëve, futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, vijoi Xhaferri. Në fund të fjalës së tij Xhaferri falënderoi Partinë Demokratike dhe kryeministrin Berisha për mbështetjen dhe besimin që kanë pasur tek ai, duke i dhënë mundësinë që të jetë dhe kandidati i parë në listë për këtë parti në qarkun e Durrësit, në zgjedhjet elektorale të 28 qershorit.

Last Updated on Thursday, 28 May 2009 16:06

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›