E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo takim me biznesin: E djathta me paketë fiskale më realiste se e majta

Zëvendëskryeministri Genc Pollo zhvilloi dje një takim me sipërmarrës të biznesit në qytetin e Beratit, ku foli për politikat fiskale të ndërmarra nga qeveria gjatë kësaj kohe. Pollo gjatë këtij takimi foli për uljen e taksave, sigurimin e formularëve tatimorë dhe te pagesës në rrugë elektronike si dhe për regjistrimin e biznesit në një sportel për dy ditë, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, për prokurimin në rrugë elektronike si dhe për shumë zhvillime të tjera, që kanë krijuar në Shqipëri klimën miqësore ndaj biznesit vendas e të huaj. Sot gjithkush mund ta shkarkojë nga interneti formularin e tatimeve, ta plotësojë dhe të bëjë dorëzimin e tij. Faza e dytë përfshin një zhvillim të mëtejshëm të këtyre shërbimeve elektronike që vërtet do tua lehtësojnë shumë jetën, në raport me tatimet, u shpreh Pollo gjatë fjalës së tij. Ndër të tjera, zëvendëskryeministri theksoi se këto masa që janë marrë nga qeveria i kanë prerë rrugën abuzuesve, dhe se ditët e sotme nuk ka më abuzime, siç ndodhte në kohën e Partisë Socialiste, ku nëpunës të pandershëm abuzonin me bizneset e qytetit të Beratit. Gjatë bisedës së tij me biznesmenët e qytetit të Beratit, Pollo foli dhe për programin e Partisë Socialiste në ndërtimin e paketës fiskale. Sipas tij, e majta vazhdon të ketë pikëpamjen tradicionale, që duke e taksuar më fort biznesin dhe duke e ngushtuar hapësirën e tij për të zgjeruar hapësirën e shtetit, do të sillte një zhvillim më të mirë të shoqërisë, ndërsa e djathta sipas Pollos ka një paketë fiskale më perfekt dhe më realiste se e majta. Me situatën fiskale konkrete, që kishte imponuar qeveria e shkuar deri në 2005, ne gjykuam që taksat ishin më të larta seç duhet, i merrnin biznesit më shumë frymën seç duhej dhe i vilnin më shumë para seç duhej. Qeveria shqiptare arriti që gjatë këtyre katër viteve, të ulte taksat për biznesin dhe të dyfishonte buxhetin e saj, u shpreh ndër të tjera ai. Pollo i foli të pranishmëve me shifra se si Partia Demokratike dhe kryeministri Berisha bënë të mundur hartimin e një pakete fiskale, e cila bëri të mundur ekuilibrimin dhe zhvillimin e biznesit në vend. Ai iu premtoi biznesmenëve të qytetit të Beratit se gjatë mandatit të ardhshëm të qeverisë Berisha, tatimet do të ulen 25%, dhe se në qoftë se deri dje ata ishin futur në garë për të fituar një tender dhe aty iu ishin bërë manipulime, në katër vitet në vazhdim kjo nuk do të ndodhë më. Shumë leje, që merreshin më parë në sportele të ndryshme, jo thjesht leja për regjistrimin e biznesit, por leje eksporti, mjedisi, leje licence të llojeve të ndryshme, do të bëhen, do të aplikohen, procedohen në një sportel të vetëm. Ky është një hap tjetër i madh për të krijuar një klimë miqësore ndaj biznesit, tha zëvendëskryeministri Pollo në fund të takimit me biznesmenët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›